Kalifornia preket nga stuhi të forta, evakuohen mijëra persona

Stuhi të fuqishme goditën Kaliforninë të hënën, duke përmbytur rrugët pasi lumenjtë dolën nga shtrati. Për shkak të stuhive, mijëra persona janë urdhëruar që të evakuohen.

Shërbimi Kombëtar i Motit tha se shirat do të vazhdojnë edhe gjatë të martën, teksa Kalifornia jugore pritet të goditet më së shumti. Po ashtu, pritet që edhe një stuhi e re të godasë këtë rajon në ditët në vijim.

Si pasojë e motit të keq, rrugët janë vërshuar dhe mijëra persona kanë mbetur pa energji elektrike. Shërbimi Kombëtar i Motit ka lëshuar një njoftim se disa zona do të Kalifornisë do të goditen nga shirat e rrëmbyeshëm.

“Shirat të martën do të përkeqësojnë vërshimet dhe do të rrezikojnë që të ketë vërshime të reja dhe rrëshqitje të dheut”, tha Shërbimi Kombëtar i Motit.

Parashikuesit e motit po ashtu paralajmëruar se pjesa jugperëndimore e Kalifornisë mund të përballet me erëra që mund të arrijnë deri në 97 kilometra në orë, ndërkaq disa zona mund të përballen me shira deri në 12.7 milimetra në orë.

Si pasojë e stuhive që nisën javën e kaluar, numri i viktimave u rrit në 14, pasi të hënën edhe dy persona, përfshirë një të pastre, vdiqën për shkak të rrëzimit të druve, thanë zyrtarët shtetërorë.

Autoritetet e rrugëve në Kaliforni thanë se disa nga autostradat shtetërore janë mbyllur për shkak të vërshimeve, rrëshqitjes së dheut dhe stuhisë së borës.

Urdhër për evakuim është lëshuar në qarkun e Santa Kruzit që ka rreth 32.000 banorë.

Një djalë 5-vjeçar është zhdukur pas vërshimeve të hënën. Nëna e tij ishte duke vozitur një makinë kur ajo u mor nga uji afër Paso Robles. Qytetarët arritën ta nxirrnin atë nga makina, por djali i saj u rrëmbye nga uji.

Autoritetet e kërkuan atë për shtatë orë dhe gjetën një prej këpucëve të tij, por zyrtarët ndërprenë operacionin e kërkimit për shkak të nivelit të lartë të ujit.

Po ashtu, afër 10.000 persona janë urdhëruar që të evakuohen edhe nga Santa Barbara.

Në Motecito, ku jetojnë edhe Princi Harry, Oprah Winfrey dhe personalitete të tjera, banorët po ashtu u urdhëruan të evakuohen. Në këtë vend, pesë vjet më parë, 23 persona vdiqën dhe mbi 100 shtëpi u shkatërruan për shkak të rrëshqitjes së dheut.

Edhe në Los Anxhelos ka pasur stuhi gjatë të hënës. Dhjetëra mijëra persona mbeten pa energji, teksa ky rajon u përball me erëra deri në 60 kilometra në orë. /REL


Shtuar 10.01.2023 11:27