Çitaku: Negociatat për MSA nisin këtë vjeshtë
Në fjalën e saj, para Komisionit Parlamentar për Integrim Evropian, Ministrja Vlora Çitaku tha se negociatat për MSA-në nisin këtë vjeshtë.

Ajo tha se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit do të jetë marrëveshja e parë kontraktuale në kuadër të së cilës Republika e Kosovës dhe Bashkimi Evropian do të bëjmë zotime të ndërsjella: në njërën anë, vendi do të ndërmarrë reforma edhe më të thella, dhe nga ana tjetër BE-ja do të ofrojë mundësi reale për anëtarësim.

"Është inkurajuese se para nesh kemi një agjendë ambicioze për një marrëveshje që do të përfshijë të gjitha elementet tradicionale të MSA-së si për vendet tjera të rajonit. Presim që Marrëveshja e Stabilizim Asociimit të ketë një afat kornizë për realizimin e plotë të asociimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian në periudhë prej 10 vitesh. Kjo përfshin afatin kohor në kuadër të së cilit produktet tona bujqësore do të mbrohen nga importet e jashtme. Dhe me këtë rast dua të sqaroj se ky afat nuk ndërlidhet me afatin tonë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, pasi procesi i anëtarësimit në BE do të përcaktohet bazuar në shpejtësinë e ndërmarrjes së reformave në kuadër të procesit zyrtar të negociatave për anëtarësim",-është shprehur Çitaku.

Në kuadër të procesit negociator, do të mbahen 4 takime në nivel të kryenegociatorëve. Negociatat do të zhvillohen sipas kapitujve negociues dhe fillimisht do të negociohen çështjet tregtare, pastaj çështjet e përafrimit të legjislacionit dhe në fund do të negociohen politikat e bashkëpunimit. /albeu.com/
Shtuar më 07/10/2013, ora 16:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori