“Po të lë të mbijetosh që të përjetosh dhimbjet …”, Taulant Malaj kërkoi të vriste dhe djalin pasi theri vajzën, gruan dhe italianin

Taulant Malaj kërkoi të vriste dhe djalin pasi theri vajzën, gruan dhe italianin

“Nuk po të vras ​​sepse duhet të mbijetosh dhe të përjetosh gjithë dhimbjen që më ke shkaktuar”, këto kanë qenë fjalët e 45-vjeçarit Taulant Malaj, i cili vrau vajzën e tij 16-vjeçare Xhesika, një shtetas italian, si dhe plagosi rëndë gruan me të cilën ishte në proces divorci pasi dyshonte se e tradhtonte.

Para se të godiste disa herë me thikë vajzën dhe gruan në banesën e tyre në Torremaggiore, Foggia, ai kishte vrarë 51-vjeçarin italian Massimo De Santis në shkallët e pallatit.

Pas krimit 45-vjeçari nga Selenica kishte filmuar dhe një video me trupat e shtrirë dhe gruan e tij të larë në gjak që e pyeste se çfarë po bën. Pikërisht nga videoja e tij ka dalë dhe një version i ri i fakteve, ku vetë Taulanti i kishte thënë gruas se po e linte gjallë që ajo të vuante për humbjen e fëmijëve.

Fillimisht u mendua se 16-vjeçarja kishte mbrojtur nënën me trupin e saj dhe ndaj ishte goditur nga i ati me thikë duke ndërruar jetë. Por në video Taulanti kishte shtuar: “Do të të vras ​​edhe djalin”, duke treguar qëllimet e tij. Burri ishte ndaluar pikërisht teksa po endej në kërkim të djalit tjetër 5-vjeçar.

Hetime për shpërndarjen e videos

Ndërkohë nga policia italiane po vijojnë hetimet për të identifikuar se kush e ka publikuar videon e vrasjes së dyfishtë në internet dhe në rrjetet sociale. “I bëjmë thirrje qytetarëve për ndjenjën e përgjegjësisë, duke i ftuar ata që për shkak të tragjedisë familjare të mos bëjnë të ditura më tej video dhe/ose imazhe makabre dhe të papërshtatshme, veçanërisht me respekt ndaj familjarëve”, thonë karabinierët të cilët po punojnë për të identifikuar se kush deri më tani, e ka shpërndarë atë video.

Gjendja shëndetësore e Teftës, 39-vjeçares shqiptare, mbetet e rëndë. Gruaja është në një prognozë të rezervuar, por jeta e saj nuk është në rrezik, ajo është plagosur me gjashtë plagë me thikë në bark.

Sipas hetuesve, vajza 16-vjeçare Xhesika ishte goditur nga i ati me të paktën dhjetëra goditje midis barkut dhe gjoksit.

Vrasja e 51-vjeçarit italian

Massimo De Santis, 51 vjeç, pronari i një bari në Torremaggiore, Foggia ishte i pari që u vra nga 45-vjeçari shqiptar. Taulant Malaj dyshonte se De Santis ishte i dashuri i gruas së tij. Italiani banonte në të njëjtin pallat me autorin dhe viktimat. Mbrëmjen e 6 majit, ai sapo kishte mbyllur barin e tij dhe u kthye në banesë. Taulant Malaj e ka sulmuar në shkallët e pallatit duke e goditur disa herë me thikë dhe duke e lënë të vdekur në vend. Më pas ka shkuar në shtëpinë e tij dhe ka vrarë vajzën 16-vjeçare dhe plagosur gruan e tij.

39-vjeçarja sipas mjekëve është ende në gjendje shoku dhe nën efektin e qetësuesve. Deklaratat e saj do të jenë thelbësore si për të rindërtuar dinamikën e saktë dhe motivin e vrasjes së dyfishtë. Gruaja është shtëpiake, por herë pas here punon si kujdestare për disa të moshuar në fshat. Ajo ishte e martuar prej 17 vitesh me Taulantin.

Taulant Malaj vrau


Shtuar 8.05.2023 17:46