Ç'do bëhet me shqiptarët në Itali? Qeveria e re: Do dëbojmë 500 mijë emigrantë
Çfarë mund të ndryshoje për ata atje dhe për vetë Shqipërinë? Matteo Salvini, në qeverinë e Guiseppe Contes do të drejtojë Ministrinë e Brendshme. Historiku i deklaratave të hershme të tij kundër emigracionit është i pasur, por në një rast komenton drejtpërdrejtë Shqipërinë dhe shqiptarët.

“Shqipëria është vendi i ri kandidat për të hyrë në Bashkimin Europian. Për hir të historisë, ekonomisë, për të shkuarën dhe të ardhmen, t’i themi jo Europës si një supermarket. Betejë e vështirë? Ndoshta, por për t’u luftuar deri në fund. P.S: Bëjmë një shkëmbim? Ata hyjnë (në BE), ne dalim? Si thoni?”, u drejtohet ai ndjekësve të vet në Facebook në 2014, një ditë pasi vendi ynë kishte marrë statusin e kandidatit.

Ai tashmë ka deklaruar se një nga përparësitë kryesore të partisë së re populiste do të jetë “dërgimi në shtëpi” i emigrantëve, duke sinjalizuar se do të mbaj një premtim elektoral për të dëbuar qindra mijëra emigrantë të paligjshëm.

Kreut të Lega Nord tashmë në postin më të rëndësishëm qeveritar brenda Italisë, që ka nën kontroll sigurinë e vendit, të drejtat e njeriut, emigrimin, azilin dhe zgjedhjet, mund të sjellë një ndryshim dramatik.

Disa orë pasi presidenti italian, Sergio Mattarella, dekretoi qeverinë e re, Salvini tha se Italia do të mbante një qëndrim më të ashpër.

“Italia do të hapë dyert për njerëzit e mirë, dhe do të kthejë ata që kanë ardhur në Itali për të bërë trazira. Një nga përparësitë kryesore do të jetë kthimi i tyre në shtëpi”, – tha ai.

Salvini, i cili drejton Lega Nord, të djathtën ekstreme nacionaliste, e cila ka qenë në favor të ndarjes së Italisë, ka premtuar të dëbojë rreth 500,000 emigrantë që jetojnë në Itali në mënyrë të paligjshme. /albeu.com/
Shtuar më 02/06/2018, ora 17:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori