Call Center/ Teleperfomance: S'do largohemi nga Shqipëria
Diego Pisa i cili është menaxheri për Shqipërinë i një prej kompanive të mëdha të shërbimit Call Center, Teleperformance, i pyetur nga “Monitor”, nga Italia, ka komentuar ligjin e delokalizimit të shërbimit Call Center që u miratua në vendin e tij.

I pyetur nëse në këto kushte kompania e tij do të largohet nga Shqipëria, ai thotë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

“Ne jemi një kompani ndërkombëtare e cila ka seli në 62 vende dhe kemi planet tona të biznesit. Ne nuk kemi ndërmend të largohemi nga Shqipëria”.

Në lidhje me rregullat e ashpra që parashikon ligji i ri, sa i përket ndalimit të lehtësive fiskale, z. Pisa thotë se ata nuk kanë përfituar asnjë lehtësi nga shteti italian.

"Natyrisht, thotë ai, miratimi i ligjit do të sjellë probleme për këtë sektor në Shqipëri".

Të gjitha shoqëritë e shërbimit Call Center do të duhet të hapin seli në vendet e BE-së për të mos pasur probleme.

“Në Shqipëri, sektori do të vihet në vështirësi të mëdha. Nuk do të ketë më asnjë nismë për të hapur kompani të reja. Nëse deri dje ku është rritur me ritme të larta, tashmë kjo nuk do të ndodhë më”, përfundon Pisa.

Por, një tjetër element që ligji thekson e që vihet në dukje edhe nga ekspertët italianë është se ai synon që të luftojë fenomenin e garës së uljes së çmimeve, duke përcaktuar se shoqëritë që vendosin të shfrytëzojnë shërbimet e një Call Center, duhet të zgjedhin ofertën më të mirë, në raport me koston e personelit.

Ky parim është i kuptueshëm, thonë ekspertët, por zbatimi i tij në praktikë do të jetë i vështirë, duke qenë se kosto e personelit është një variabël qe shpesh varet nga volumi i punës(shërbimit të ofruar), gjë e cila nuk mund të dihet paraprakisht. Për këtë arsye nuk do të jetë e thjeshtë të përcaktohet ndikimi efektiv i kostos së personelit mbi ofertën e përgjithshme. /albeu.com/
Shtuar më 10/12/2016, ora 09:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori