Cakaj e bëri fakt të kryer, Rama rrëzon vendimin për pasaportat diplomatike
Qeveria shqiptare ka vendosur të shtyjë me një vit vlefshmërinë e pasaportave diplomatike dhe shërbimit. Kryeministri Rama përmes një vendimi ka ‘shfuqizuar’ urdhërin dhe thirrjen publike të ministrit të jashtëm në detyrë, Gent Cakaj për heqjen e pasaportave diplomatike për më shumë se 350 zyrtarë dhe ish-zyrtarë që dispononin dokumentin diplomatik.

Kryeministri Rama, njëkohësisht ministri i Jashtëm përmes një vendimi ka vendosur të rrëzojë një nga iniciativat e prezantuara me shumë bujë dhe paralajmërime të forta nga ministri në detyrë Gent Cakaj në lidhje me pasaportat diplomatike.

Në prill të këtij viti, Cakaj kërkoi publikisht që ish-deputetë, gjyqtarë, rektorë, biznesmenë, drejtorë të rëndësishëm dhe përfaqësues të mediave të dorëzojnë urgjentisht pasaportat diplomatike apo ato të shërbimit.

Por ndryshimet e miratuara nga Këshilli i Ministrave në qershor të këtij viti që i detyronin të gjithë personat që posedonin pasaportat diplomatike dhe ato të shërbimit janë shtyrë me një vit nga kryeministri Rama. Përmes një vendimi të botuar në fletoren zyrtare, kryeministri lejon poseduesit e këtyre pasaportave t’i mbajnë deri në dhjetor të vitit 2021.

“Në vendimin nr. 389, datë 12.6.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime: në pikën 10, fjalia” Formati ekzistues i pasaportës diplomatike dhe shërbimit është i vlefshëm deri në datën 31 dhjetor 2020 zëvendësohet me 31 dhjetor 2021”.

Pasaportat do të mund t’i përdorin deri në dhjetor të 2020 edhe ata subjekte që i kanë marrë në zotërim dokumentet përgjatë këtij viti.

Vendimi i ministrit të Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj ngjalli reagime të forta publike.

Në korrik të këtij viti, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë paditi Këshillin e Ministrave për këtë vendim, duke e konsideruar heqjen e pasaportave diplomatike për cenimin e statusit të gjyqtarit, padi e cila u rrëzua në Gjykatën Administrative.

Edhe futbollistët e kombëtares shqiptare të futbollit u shprehën kundër vendimit të qeverisë, duke e cilësuar fyes trajtimin nga qeveria./abcnews.al
Shtuar më 31/12/2019, ora 15:42

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori