Bushati sqaron votën e Shqipërisë në OKB: Është qëndrimi ynë parimor
Ditmir Bushati, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë ka reaguar ditën e sotme në lidhje me votën e Shqipërisë kundër SHBA-së, presidentit Donald Trump.

Bushati shprehet se vota e Shqipërisë dje në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nuk është një votë kundër SHBA, por shprehje e qëndrimit koherent, parimor e të pandryshuar në vite.

Bushati ka përmendur edhe dy rezoluta në të cilat Shqipëria ka votuar pro, por që kanë qenë votë kundër SHBA. Këto dy rezoluta janë votuar në vitet 1968 e 1980.

Ja çfarë shkruan sot Ditmir Bushatit:

Në politikë të jashtme nuk e kemi luksin të mos dallojmë faktet nga trillimet. Për ata që ende besojnë te faktet, vota e Shqipërisë dje në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nuk është një votë kundër SHBA, por shprehje e qëndrimit tonë koherent, parimor e të pandryshuar në vite, bazuar në konsensusin ndërkombëtar të shprehur në dokumentet e panumërta të OKB-së dhe Rezoluta të Këshillit të Sigurimit, të cilat kanë fuqi detyruese, sikundër në linjë të plotë me qëndrimet e shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të OKB-së, NATO-s dhe BE-së, partnerë historikë të SHBA-ve.

Fakt është që rezoluta pro të cilës votoi Shqipëria dje, i referohet Rezolutave të mëparshme të Këshillit të Sigurimit. Më konkretisht Rezoluta 252 e vitit 1968, Rezoluta 476 e vitit 1980, Rezoluta 478 e vitit 1980 dhe me e fundit, Rezoluta 2334 e vitit 2016. Këto rezoluta, janë bërë pjesë e korpusit të normave ndërkombëtare dhe rrjedhimisht janë të detyrueshme për ne.

Po ashtu, Shqipëria ka votuar në mënyrë konstante pro rezolutave të OKB-së në lidhje me procesin e paqes në Lindjen e Mesme, në tërësi, dhe në veçanti pro rezolutës specifike që trajton çështjen e vendbanimeve në territoret e pushtuara, përfshi Jeruzalemin Lindor, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ky qëndrim i konsoliduar i Shqipërisë ka qënë e mbetet i njëjtë pavarësisht se kush ka qenë në drejtim të punëve të shtetit, përfshi këtu votimin në vitin 2012 dhe në vitin 2013 e deri sot si shumica dërrmuese e vendeve të OKB-së.

Fakt është se parimet, orientimi dhe qëndrimet në politikën e jashtme të një vendi janë shumë më të qëndrueshme sesa trillimet e atyre, të cilët përpiqen të minojnë gurin themeltar të partneritetit tonë me SHBA-të në fushën e forcimit të shtetit ligjor dhe të demokracisë në Shqipëri, që është reforma në drejtësi.

Hannah Arendt ka pasur të drejtë kur thoshte se e keqja më e madhe e një shoqërie nuk është nazisti i bindur e as komunisti i devotshëm, por të gjithë ata për të cilët dallimi mes fakteve dhe trillimeve, të vërtetave dhe gënjeshtrave, nuk ekziston. /albeu.com/


Shtuar më 22/12/2017, ora 13:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori