Bushati: Serbët të vënë para përgjegjësisë huliganët
Me anë të një deklarate për mediat, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, është prononcuar në lidhje me dhunën gjatë ndjeshjes Serbi-Shqipëri.

Sa i takon dhunës së ushtruar në stadiumin “Partizani” në Beograd, ai u kërkoi autoriteteve serbe të vënë përgjegjësit e incidentit përpara përgjegjësisë.

“U bëj thirrje autoriteteve serbe që të dënojnë pa humbje kohe dhe të nxjerrin para përgjegjësisë të gjithë përgjegjësit për incidentet, të hetojë ngjarjen, të faktojnë këto vendime dhe të nxjerrin huliganët përgjegjës.

U bëj thirrje të marrin hapat e nevojshme, duke dëshmuar se futbolli është karakteristikë e qytetarisë”, deklaroi Bushati.

Gjatë fjalës së tij ai nënvizoi se mbrëmjen e djeshme kërkoi komunikim me homologun Daçiç, për zhbllokimin e situatës së krijuar, por komunikimi mes tyre nuk u realizua për shkak të neglizhencës nga ana serbe.

“I kërkuam palës serbe të dëshmonte maturi dhe përmbajtje, të mos përdorte një ndeshje futbolli për politikë. Kemi qenë në takim dhe konsultim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë”, tha ai.

“Tifozët serbë përsëritën xheste ofenduese ndaj të ftuarve shqiptarë. Pas hedhjes sistematike të sendeve, situata ka degraduar me futjen në fushë të huliganëve, të cilët u përfshinë në dhunë fizike ndaj futbollistëve, të cilat nuk ka pretendime por janë të dokumentuara”, bëri me dije Ministri i Jashtëm.

Sipas Bushatit, mikpritja e cila është një karakteristikë e popujve të Ballkanit u nëpërkëmb. “Në aeroport kombëtarja u vonua edhe një orë tjetër. Mikpritja u nëpërkëmb nga një atmosferë ksenofobe dhe antisportive. Jemi të keqardhur që autoritetet serbe nuk kanë shfaqur përgjegjshmëri”, deklaroi ministri. /albeu.com/
Shtuar më 15/10/2014, ora 16:56

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori