"Brexit pa marrëveshje", Parlamenti britanik merr vendimin urgjent
Parlamenti britanik ka përkrahur një projektligj për të bllokuar planet e kryeministrit të Britanisë, Boris Johnson për t’u larguar nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje.

Ligjvënësit opozitarë dhe konservatorët e zemëruar kanë siguruar miratimin e projektligjit në fazën e parë, duke votuar me 329 vota në të mirë të tij dhe 300 të tjerë kundër. Ligjvënësit aktualisht janë duke diskutuar amendamentet e projektligjit, të cilat do t’i votojnë më vonë gjatë ditës.

Nëse miratohet në tërsi, ky legjislacion do t’i kërkonte Johsonit që të nisë kërkesë për shtyrje të Brexitit deri më 31 janar, përveç nëse arrihet një marrëveshje e re për largim me Bashkimin Evropian.

Kryeministri britanik synon të largojë Britaninë nga blloku evropian me 28 anëtarë, më 31 tetor të këtij viti, edhe nëse nuk ka marrëveshje për largim. Ai ka kërcënuar me thirrje për zgjedhje të reja, në rast se miratohet ky projetligj.

Johnson ka thënë se bllokimi i Brexitit pa marrëveshje do të dëmtonte bisedimet për një marrëveshje të re dhe do të shkaktonte “më shumë vonesa dhe paqartësi”.

Kritikët kanë thënë se largimi i Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje mund të ketë pasoja të jashtëzakonshme për këtë shtet.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016./REL/
Shtuar më 04/09/2019, ora 21:28

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori