Të pathënat e zgjedhjeve të kontestuara turke

Nga Elçin Poyrazlar & Christian Oliver “Politico.eu”

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Stamboll – Papritur dy kandidatët presidencialë të Turqisë duan që të bisedojnë me Sinan Oğan, një politikan nacionalisti pak i njohur, i cili doli i treti në zgjedhjet e raundit të parë që u mbajtën të dielën, dhe që tashmë është kthyer në një “kingmaker” (ai që dikton fituesin) të mundshëm brenda natës.

Përpara raundit të dytë të zgjedhjeve që do të mbahet më 28 maj, Oğan dëshiron të sigurojë një post ministror, ndërsa presidenti Recep Tayyip Erdoğan dhe rivali i tij Kemal Kiliçdaroğlu duan mbështetjen e 2.8 milionë votuesve të tij, të cilët përbënin rreth 5.2 për qind të votave të së dielës së 14 majit.

Shtabi elektoral i Kılıçdaroğlu deklaroi të hënën se bisedimet e hershme me Oğan tregonin se kishte vend për të bashkëpunuar. Populisti islamik Erdogan e fitoi raundin e parë të zgjedhjeve 49.5 për qind (27.1 milionë vota), por tani gara do të shkojë në balotazh sepse ai nuk arriti të sigurojë 50 për qind të nevojshme për fitoren e plotë.

Rivali i tij kryesor Kılıçdaroğlu, që do të përballet sërish me të pas 2 javësh, fitoi 44.9 për qind (24.6 milionë vota). Kjo garë shumë e ngushtë i ka dhënë një peshë të madhe Oğan dhe “Aleancës Stërgjyshore” që drejton, pasi si Erdoğan po ashtu edhe Kılıçdaroğlu kanë pasur  përfitime nga shfrytëzimi i valës nacionaliste në këto zgjedhje.

Aktualisht Erdogan ka një aleancë me partinë nacionaliste MHP si partnerin e tij kryesor të koalicionit, ndërsa mbështetja për partinë e tij në pushtet AKP po bie vazhdimisht. Në fakt, presidenti 69-vjeçar drejtoi një fushatë me tone dukshëm nacionaliste, duke e vënë theksin tek aftësitë e mëdha ushtarake të vendit, industrinë e mbrojtjes dhe tek përpjekjet për të pasur një vetë-mjaftueshmëri më të madhe në sektorin energjetik.

Edhe Kılıçdaroğlu është bashkuar në këtë garë në një koalicion me Partinë e Mirë, një forcë kjo nacionaliste, duke u përpjekur që të shfrytëzojë frymën e Turqisë për “tubimin rreth flamurit”. Oğan do të rreshtohet gjithsesi me njërin nga kampet, dhe ai po luan me këtë, duke detyruar si Erdogan po ashtu edhe Kılıçdaroğlu që të hamendësojnë se çfarë do të bëjë.

“Që nga fillimi, u duk se zgjedhjet do të përfundonin me një raund të dytë dhe nacionalistët turq dhe mbështetësit e Ataturkut do të jenë vendimmarrësit”- u tha ai gazetarëve gjatë natës ndërsa po dilnin rezultatet, duke iu referuar themeluesit të Republikës moderne turke.

“Ne kishim thënë se nacionalistët turq do të kishin një zë të fortë në këto zgjedhje”- shtoi ai. Me origjinë nga qyteti i largët lindor Iğdır, pranë kufirit me Armeninë, Oğan ka qenë një rebel në lëvizjen nacionaliste. Ai është një ish-deputet i përjashtuar nga radhët e MHP, aleatët nacionalistë të Erdogan.

Ai është pro rikthimin e refugjatëve sirianë në vendin e tyre, dhe këmbëngul se nuk duhet të bëhen lëshime për partitë kurde, të cilat ai i lidh me grupet terroriste. Përpara zgjedhjeve, ai ishte shprehur i sinqertë kur kishte deklaruar: “Ne do të bisedojmë mbi kërkesat tona me partitë me të cilat do të ulemi në tryezë. Është e qartë se ne nuk do të ofrojmë falas mbështetjen tonë. Ne do të kemi kërkesa, si për shembull disa poste ministrore”.

Sa i përket garës së 28 majit, ai po i mban letrat e fshehura, dhe thotë se do të zhvillojë konsultime me “Aleancën Stërgjyshore” dhe “Bashkë-udhëtarët e tij”. Mediat turke raportuan se ai mori telefonata si nga Kılıçdaroğlu, po ashtu edhe nga ish-kryeministri Binali Yıldırım, një prej peshave të rënda të Erdoganit në partinë AKP.

Duke lënë të kuptohet për një aleancë të mundshme, Engin Özkoç, nënkryetar i grupit nga partia CHP e Kılıçdaroğlu në parlament, tha se biseda telefonike midis Kılıçdaroğlu dhe Oğan ishte shumë pozitive. “Unë nuk mendoj se kemi dallime të mëdha në mendimet tona për sa i përket pritshmërive që kanë mbështetësit tanë. Nuk besoj se kemi dallime as në qëndrimin tonë kombëtar”- tha ai për HalkTV, një rrjet televiziv opozitar

Një nga diskutimet kryesore, do të përfshijë çështje shumë të ndjeshme të pakicës kurde të vendit, sepse marrëdhëniet midis kampit nacionalist dhe kurdëve janë shumë armiqësore.  Ndërsa Erdogan ka një aleancë me partinë radikale islamike kurde HÜDA-PAR, ajo nuk është vendimtare për numrin e votuesve të tij.

Çështja është nëse një Ogan, dhe sidomos mbështetësit e tij, mund të pranojnë vërtet të mbështesin Kiliçdaroğlu. Ky i fundit ka siguruar një mbështetje shumë të fortë nga partia pro-kurde HDP, e cila e ka ndihmuar atë të fitojë shumicën në qytetet lindore si Dijarbakır dhe Van, dhe ai nuk dëshiron të rrezikojë mbështetjen kurde në raundin e dytë me një parti nacionaliste esktremiste.

Në komentet e tij publike, Oğan është tejet i kujdesshëm në lidhje me çështjen e aleatëve kurdë të Erdoganit dhe Kiliçdaroglu. Megjithatë, ai tha se pozicioni i tij ishte më i nuancuar, dhe nuk do t’i kërkojë një partneri të mundshëm të mos bashkëpunojë me partitë kurde.

“Ne caktuam parimet. Dhe një nga ato parime ishte distancimi nga partitë e tjera që nuk distancohen nga organizatat terroriste. Që në fillim unë kam qenë kundër idesë se HDP dhe HÜDA-PAR janë një kusht. Po të kishim vetëm këtë kusht mund të kishim thënë:” “I dashur Kılıçdaroğlu, hiqni dorë nga HDP!. Por nuk është një ekuacion kaq i lehtë”. Tani prisni që Oğan të shijojë 14 ditët e famës së tij. /albeu.com


Shtuar 17.05.2023 13:56

Tags: