Bizneset të frikësuar nga rritja e çmimit të naftës, së shpejti nisin protestat
Kreu i Shoqatës së Biznesit të Vogël, Albert Naso ishte i ftuar në studion e lajmeve të Fax Neës ku foli për debatin dhe shqetësimin e madh që është ngritur së fundmi për rritjen e çmimit të karburanteve.

Naso tha se rritja e çmimeve është bërë pa asnjë konsultim me biznesin dhe qytetarët duke shtuar se janë këta të fundit që do ta pësojnë më keq.

“Është bërë pa asnjë konsultim me bizneset dhe qytetarët në një kohë kur sot nafta në vend shitet me çmimet më të larta në rajon dhe europë. Rritja e çmimit të karburantit sljell rrjedhimisht rritjen e çmimit të cdo produkti”.

Sa i përket punës që po bën shoqata që përfaqëson lidhur me këtë situatë të krijuar, Naso tha: “Ne po diskutojmë me Bordin drejtues dhe me shoqatat në gjithë Shqipërinë, por edhe me politikën dhe qytetarët për të gjetur një mënyrë për ti thënë stop rritjes së çmimit të karburanteve. Ne do t’i themi qeverisë jo rritjes, sepse ne i kemi thënë vazhdimisht që ta uli çmimin. Kemi vende fqinje që nuk kanë një çmim të tillë karburanti dhe gjithashtu tregtojnë një lëndë me cilësi shumë më të mirë se ne. Do të shikojmë mundësinë për protesta dhe greva për të mbrojtur interesat e biznesit por edhe të qytetarëve. Sepse nëse biznesi rrit çmimin e pësojnë qytetarët”.

Naso radhiti edhe disa shqetësime që trajtohen shpesh në Shqipëri por që nuk ofrohet një zgjidhje në fakt, që janë mbyllja e bizneseve si dhe informaliteti.

“Jemi radhitur si vendi me korrupsionin më të lartë në rajon dhe Europë, janë mbyllur rreth 18 mijë biznese, taksat vendore janë rritur deri në 5 herë. Rreziku që të mbyllen edhe shumë biznese të tjera është shumë i madh krahas kësaj shto edhe gjobat e bashkive, shtetit e të tjera shtesë që e detyrojnë biznesin të falimentojë”.

Ka qenë vetë kryeministri që ka thënë se ka mungesë të lëshimit të kuponave, ç’po ndodh, a mund të flasim për rritje të informalitetit?

“Ne e kemi denoncuar dhe e denoncojmë se ky është një faktor që ndikon në falimentimin e biznesit. Informaliteti është sot rreth 50%, aq sa ishte në vitin 2015 kur Rama nisi aksionin e vrullshëm kundër informalitetit, dhe ne jemi kundër kësaj metode përmes aksioneve. Na kujton kohën e diktaturës, duhet të monitorohet performanca

Ne themi që është korrupsioni, paaftësia dhe dhënia me dashje me selektivitet për shkak të afësrsisë me të majtën apo të djathtën pak rëndësi ka, arsyeja pse është krijuar informaliteti. Mosprerja e kuponave është një çështje e madhe dhe administrata duhet të bëjë punën e saj të përditshme. Evazioni që përmendi kryeministri është një këmbanë alarmi dhe një frikë e fortë që don ti shkaktojë ai biznesit”, iu përgjigj Naso pyetjes së gazetarit Enea Meksi.

A kemi ulje të numrit të turistëve këtë vit?

“Kemi shumë ulje dhe kjo edhe për shkak të klimës politike në vend. Kur politika nuk e lë biznesin të ecë, dhe kjo e akorduar njëherë në 10 vjet në Shqipëri, situata bëhet shumë e ndjeshme. Është një situatë ku shteti është dërrmuar, institucionet nuk punojnë. Bashkitë apo organet qëndrore i janë futur politikës dhe jo punës që kanë për detyrë të bëjnë. Ky është një dëm imazhi por edhe një dëm ekonomie, kur ikën ai që prenoton nga jashtë, nuk është një afat vetëm për këtë vit, por për vite me radhë që vijnë më pas”.

Shtuar më 17/07/2019, ora 18:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori