Tensionet në Kosovë/ Shpërthime gjatë natës pranë stacioneve policore në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut

Mediet në Kosovë raportojnë se gjatë natës janë dëgjuar shpoërthime pranë stacioneve policore në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut.

Lajmin e ka konfirmuar për Radio Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani.

Elshani tha se me shumë gjasa bëhet fjalë për shok-bomba, teksa bëri të ditur se nuk ka të lënduar. Ai tha se një veturë e policisë është dëmtuar. Zëdhënësi i policisë thotë se është hapur një hetim, por ende nuk ka të dyshuar.

Këto zhvillime po ndodhin në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur. Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.

Po ashtu, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.

Një ditë pas kësaj, tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe në veri të vendit, një veprim që Qeveria e Kosovës e ka cilësuar si rrëmbim.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar një ditë më parë se asnjë ushtar dhe asnjë polic nga Serbia nuk ka hyrë përtej kufirit me Kosovën. Ai tha se policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës 1.8 kilometra larg kufirit.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti hodhi poshtë pretendimet e Serbisë, e cila tha se se policët e Kosovës kishin kaluar kufirin dhe ishin futur në territor të saj.

Gjithashtu, Qeveria e Kosovës bëri të ditur se janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se “synimi ynë është siguria, e siguria fillon te kufijtë”. Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë të enjten se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, një takim urgjent për menaxhim të krizave./REL/


Shtuar 16.06.2023 08:35

Tags: