Betonohen varret e vendasve për memorialin e ushtarit grek
Një tjetër skandal me varrezat dhe tjetërsimin e tyre “për llogari” të ushtarëve grekë të rënë në luftë ka përfshirë zonën e Korçës. Një varrezë është betonuar pjesërisht në një rresht parcele për të ngritur një memorial për ushtarët grekë, që pretendohet se janë varrosur aty gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rasti ka ndodhur në një nga fshatrat e njohur të zonës së Korçës dhe pikërisht në Boboshticë, ku pretendohet se ekzistojnë disa varre që u përkasin të rënëve në luftën italo-greke. Varrezat e vjetra të Boboshticës, që ndodhen në territorin e kishës së fshatit, janë betonuar për të ngritur një piedestal për ushtarët grekë.

Në varrezat e vjetra mbi 200-vjeçare të fshatit është bërë betonimi i një segmenti deri në afërsi të një kryqi të vendosur 15 vjet më parë për të përkujtuar një nga ushtarët grekë që është vrarë gjatë luftës dhe eshtrat e të cilit kanë qenë të vendosura në një nga parcelat e varrezës, aty ku kanë qenë edhe eshtrat e banorëve të tjerë të zonës.

Edhe pse eshtrat e ushtarit grek nuk ndodhen më në territorin e varrezave të vjetrafshatit Boboshticë, por janë zhvendosur prej vitesh në varrezat e reja, vendi ku ai ka qenë i groposur është shfrytëzuar për të bërë homazhe në datat që përkujtojnë luftën italo-greke.

Reagimet e para kanë ardhur nga ana e banorëve të fshatit, të cilët kanë në këtë varrezë eshtrat e gjyshërve dhe të stërgjyshërve të tyre. Kryqet e vjetruara, të cilat dallohen qartë, qëndrojnë në të dyja anët e platformës prej betoni, ndërsa nën segmentin e betonuar, banorët thonë se ndodhen edhe varre të tjera.

Banorët kanë ngritur gishtin e akuzës ndaj organizatës së minoritetit grek “Omonia”. Ata deklarojnë se prej një muaji përfaqësues të “Omonias” kanë qenë në këtë vend kodrinor për të kryer punime, edhe pse një pjesë e fshatit ka pasur rezerva për të bërë një memorial dhe për të ndërtuar mbi parcelat ku janë varret e vjetra.

Sipas tyre, betonimi është bërë për të kryer homazhe. Një memorial në formë kryqi ka qenë pikënisja e ndërtimit me beton të rrugës që kalon tashmë përmes varrezave me disa shkallë që nisin nga oborri, i cili është territor i manastirit të Shën Mërisë.

Të pozicionuara në kodrën e fshatit, këto varreza të vjetra në vitin 1996 pësuan tjetërsimin e parë. Në vendin ku ishin të vendosura eshtrat e ushtarit grek, u ngrit një kryq në formë memoriali për të kujtuar ushtarin e rënë, por në këtë memorial janë shkruar me germa greke dhe shqiptare fjalët “në nderim të ushtarëve grekë të rënë në luftë”.

Vite më parë, kur u vendos kryqi, askush nuk u shqetësua për këtë fakt. Ishte një banor i fshatit, i cili në atë kohë punonte në degën e “Omonias”, që kishte bërë këtë kryq në vendin ku ishte edhe kisha e Shën Mërisë, por për faktin se dihej se aty ishin eshtrat e ushtarit, banorët nuk e panë me habi këtë veprim dhe dhuratë që vinte nga një prej banorëve si shenjë nderimi për ushtarin.
Ajo që ka shqetësuar banorët, ka qenë betonimi i një pjese të varrezave për të mbërritur te kryqi dhe ndërtimi përreth i një platforme të gjerë betoni, për zhvillimin e homazheve në përkujtim të ushtarëve grekë.

Fshatarët thonë se në këtë varrezë nuk ka ushtarë të tjerë grekë dhe po abuzohet me faktin se aty kanë qenë dikur eshtrat e një ushtari të vetëm. Siç tregojnë banorët Boboshticës, punimet kanë filluar qysh një muaj më parë dhe kanë përfunduar tashmë, edhe pse një pjesë e fshatarëve nuk e kanë dhënë pëlqimin.

Banorët e vjetër të fshatit kanë kërkuar prishjen e rrugës prej betoni që zë një pjesë të varreve të vjetra. Ata akuzojnë për dëmtim të varreve të të parëve nga hedhja e betonit dhe thonë se poshtë platformës ka ende eshtra.

Nga ana tjetër, Komuna e Drenovës, që ka nën administrim fshatin Boboshticë, nuk ka dijeni për ndërtimin e memorialit dhe rrugën që të çon në të, edhe pse si për çdo ndërtim, duhej të merrej leja e posaçme nga KRT-ja lokale.

Kryetari i Komunës Drenovë, Flamur Sala, tha dje se komuna nuk është njoftuar zyrtarisht nga asnjë institucion, organizatë apo subjekt privat për një ndërtim të tillë. “Ndërtimi i rrugicës prej betoni në varrezat e Boboshticës është bërë pa leje”, tha ai, ndërsa u angazhua se shumë shpejt do të ngrihet një grup pune për verifikimin e shkeljes dhe do të merren masat ligjore. (shqip)
Shtuar më 27/10/2010, ora 19:31

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori