Tentoi të hynte në Shqipëri me pasaportë false, arrestohet turku në Durrës: I sekuestrohen 12 mijë euro dhe lëndë narkotike

 Një 41 vjeçar turk është arrestuar nga Policia Kufitare në Durrës, pasi tentoi të hynte në Shqipëri me pasaportë spanjolle të falsifikuar.

Pas kontrolleve turkut i janë gjëtur 12 mijë euro të padeklaruara dhe njësai lëndë e dyshuar narkotike.

Njoftimi i policisë:

Port Durrës/Kontrolle të shtuara nga Policia Kufitare, me qëllim evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Sekuestrohen rreth 12 000 euro të padeklaruara, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis dhe 1 pasaportë e falsifikuar.

Arrestohet në flagrancë 41-vjeçari turk që tentoi të hynte në Shqipëri, me shumën e eurove të padeklaruar dhe sasinë e kanabisit, duke përdorur pasaportë spanjolle të falsifikuar.

Shërbimet e Policisë Kufitare në Port Durrës, në vijim të kontrolleve të shtuara, me qëllim evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, kanë ndaluar për kontroll më të detajuar një 41-vjeçar, pasi kishin dyshime se kishte paraqitur pasaportë të falsifikuar.

Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në bagazhet e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, rreth 12 000 euro të padeklaruara dhe pasaportën origjinale të 41-vjeçarit me shtetësi turke, me gjeneralitete A. T.

Nga verifikimet e mëtejshme, ka rezultuar se pasaporta spanjolle që kishte paraqitur ky shtetas, gjatë kryerjes së proceduare në PKK Port Durrës, ishte e falsifikuar.

Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, u arrestua në flagrancë shtetasi A. T., 41 vjeç, banues në Barcelonë, Spanjë, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./albeu.com