Berisha: Në emergjencë kombëtare, protesta motoja jonë
Pëlqej
Në fjalën e tij para Kuvendit të PD-së, Berisha nënvizoi se gjëndja është emergjente kombëtare dhe duhet të ndalim revanshin e qeverisë me protesta.

Teksa ka përshëndetur punimet e këtij Kuvendi, Berisha tha se në këtë ditë mbahet përgjegjësi përpara demokratëve për atë që kanë përballë, klikën Rama-Meta që sipas tij, po zëvendëson shtetin ligjor me atë policor.

“Sot shpirtrat e mbarë shqiptarëve janë tek vendimet tona me ne, në këtë sallë vendoset fati i demokracisë, nën sulmin e egër dhe kërcënimit mafioz të klikës Rama-Meta që po zëvendëson shtetin ligjor me shtetin policor. I ka shpallur vendimet e gjykatave si letër pa vlerë, arreston me bandat e saj demokratët dhe kundërshtarët e saj politikë. Kupola e mafies socialiste po rrënon ekonominë shqiptare”, tha Berisha.

“Qeveria e urrejtjes dhe përçarjes kombëtare ka izoluar verilindjen nga fondi i zhvillimit të rajonit, për distriktin e Korçës është dhënë më shumë se Tirana, Dibra e Kukësi të marra sëbashku. Kjo është klika e urrejtjes dhe përçarjes kombëtare më shumë për Gjirokastrën se Shkodrën, Lezhën, Pukën të marra sëbashku. Kjo klikë, qarkun më të varfër të vendit të Kukësit e la pa asnjë qindarke, për shkak të votës kundër tij”, shtoi Berisha.

“Historia ka treguar se përveç qeverisjes sonë, asnjë forcë nuk ka qenë e denjë për këtë vend. Të ndalojmë revanshin, detyra jonë e vështirë. Të bëjmë opozitë me çdo formë demokratike, demokraci do të thotë protestë. Ka ardhur ora për liri, të përzëmë nga pushteti klikën më të rrezikshme të Europës. Të kthehemi në një kështjellë qendresë”, shtoi më tej ai.

Më tej Berisha theksoi se vendi ndodhet në një emergjencë kombëtare, ndaj demokratët duhet të protestojnë. “Të gjithë në një sulm në mbrojtje të të drejtave tona. Ne rast se nuk do qëndrojmë fuqishëm, nuk do na besojnë. Vendi është në gjendje emergjence, pushteti qendron në duart e krimit, trafikut dhe parave të pista. Klika Rama-Meta udhëheq ndërsa liria është në agoni. Ne duhet të protestojmë çdo ditë në çdo rrugë, në çdo cep, pallat, kudo që jemi, protesta duhet të jetë motoja jonë”.

“Jam sot para jush me bindjen se edhe dy jetë po të kisha, me punë ditë e natë nuk do të arrija t’ju shpërbleja atë që keni bërë për mua. Me ju vazhdoj betejën me vendosmëri më të madhe deri në fitoren tonë të merituar. Fitorja është e guximtarëve, demokratët të tillë janë”, përfundoi ai. /albeu.com/
Shtuar më 27/09/2014, ora 14:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori