Berisha ndryshon historinë: Fatos Nanon e arrestuan socialistët në '93
Gjatë intervistës dhënë gazetarit Berat Buzhala në emisionin "Komiteti", Sali Berisha flet edhe për arrestimin e liderit socialist të fillimit të viteve '90, Fatos Nano.

Sipas tij, arrestimi i Nanos në atë periudhë u bë nga vetë socialistët dhe ai nuk kishte dorë në këtë vendim.

"E arrestuan socialistët. Dosja e Fatos Nanos nga faqja e parë deri tek faqja e fundit është e hartuar nga qeveria e Partisë Socialiste. Cilido mund të shkojë ta lexojë. Po, u arrestua në kohën time, mbi bazën e asaj dosje dhe asnjë akuze tjetër. Unë e quaj një gabim arrestimin në avancë. Të vendoste gjykata, por paraburgim nuk duhej të mbahej. Mu duk në atë kohë se ata që u bënë kaq aktiv në këtë proces ishin frikacakë, e bënë nga frika.

Nuk ishte një veprim që duhej bërë. Kishin frikë, sepse forcat demokratike erdhën në pushtet në një kohë kur kishin kundër të gjitha institucionet e sistemit të vjetër të cilat çdo ditë bënin gjithçka për përmbysjen e tyre"., - shprehet Berisha.

Arrestimi i Nanos ateherë ishte thyerja e parë e Berishës me perëndimorët për të ardhur më pas tek referendumi për ndryshimin e Kushtetutës dhe ngjarjet që rrodhën më pas. /Albeu.com/
Shtuar më 24/03/2017, ora 10:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori