Berisha: Familjarët e mi mund të kandidojnë për çdo post e forum në PD
Në një konferencë për mediat, ish-kryeministri Sali Berisha nënvizoi se familjarët e tij mund të konkurojnë për çdo forum apo pozicion në PD, sikundër mund të bëjnë edhe të tjerët. I pyetur në lidhje me përbërjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, Berisha tha se ajo është më përfaqësuesja. Ndërkohë për përfshirjen e familjarëve të tij në Këshillin Kombëtar, Berisha citoi se ata tashmë e kanë rrugën e hapur dhe barriera që kishin nga ai, ka marrë fund.

“Këshilli Kombëtar ndër më përfaqësuesit, janë të rinjtë që hyjnë për herë të parë në PD, me një kurrikul shumë të mirë, si dhe ata që kanë kontribute të shumta në PD.

Ka një spektër shumë të gjerë dhe me tërësi elitare të spikatur. Prania e familjarëve është e vonuar, pasi ato kanë kontribute që nga dita kur është themeluar partia dhe deri më sot.

Më kanë ndihmuar jashtëzakonisht mua në fushata etj, unë si kam penguar kurrë ata, tani ata e kanë rrugën të hapur dhe mund të konkurojnë në çdo forum të PD njëlloj si të tjerët. Ka marrë fund barriera që kishin nga Sali Berisha”, deklaroi ai.

Pas nuk u la edhe reforma në drejtësi, teksa paralajmëron rikthimin e vizave për shkak të numrit të lartë të azilkërkuesve nga Shqipëria.

“Lajm më dramatik përveç recensionit ishte ai i azilkërkuesve. Në mënyrë absolute po ecim drejt rikthimit të vizave. Mekanizmi i kthimit të vizave është i gatshëm. Kuadri është i përgatitur. Ju garantoj se Shqipëria do të jetë vendi i parë. Nga një vend jo problematik, sot zë vendin e dytë me mbi 8000 azilkërkues. Koha fton për një protestë të fuqishme popullore, për tu ndarë sa më shpejt nga aleanca e qelbësirave dhe vazhdoi të kundërmoje në skenën politike shqiptare”, tha Berisha.

Referuar tryezës së organizuar nga presidenti Nishani për reformën në drejtësi, Berisha e konsideroi si skandaloze fjalën e Kreut të Qeverisë, për të cilin tha se i ngjante një personi që sapo kishte dalë nga spitali psikiatrik. “Reforma në drejtësi duhet të jetë e bazuar në parime të shëndosha evropiane, që ta bëjë drejtësinë më transparente, më të përgjegjshme. Por fjala e kryeministrit dje ishte skandaloze, fjala e një të sëmuri psikik, sikur vinte direkt nga spitali psikiatrik.

Në fjalorin e tij të papërmbajtur dominonte fjala kancer, në fjalorin e tij cilësoi shumicën e gjykatësve dhe prokurorive si ripërdhunues dhe vrasës, duke mos ditur që këta kanë familje kur kthehen në shtëpi, kanë fëmijë që do ju bëjnë pyetje pse ky njeri të quan rivrasës dhe ripërdhunues.

Tolerimi i një gjuhe të tillë staliniste nga kryetari i ekzekutivit është një ofendim i madh për vlerat evropiane dhe përpjekjet për këto vlera”, shtoi Berisha. /albeu.com/
Shtuar më 07/10/2014, ora 13:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori