Belgët do ta marrin në pyetje për dosjen "Tayota Yaris", Basha: Jam i gatshëm të dëshmoj
Burime nga Partia Demokratike bëjnë të ditur se Lulzim Basha, ka shprehur gatishmërinë e plotë të kontribuojë në hetimin e autoriteteve të drejtësisë belge për dosjen e njohur si “Toyota Yaris”, ku u kapën 3.4 milionë euro. Kryetari i opozitës është shprehur i gatshëm për të ndihmuar me informacionet që disponon në zbardhjen e lidhjeve kriminalo-politike, në aferën e pastrimit të miliona eurove me garanci politike të përfaqësuesve më të lartë të kupolës së Rilindjes.

Basha është në kontakt me autoritetet belge dhe mbetet ne pritje te rakordimit me to për mënyrën e bashkëpunimit.

Ndërkohë më herët Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se “në vijim të ekzekutimit të letërporosise së dërguar nga autoritetet belge, përfaqësues të Prokurorisë Federale të Belgjikës kanë mbërritur në Shqipëri me qëllim vijimin e kryerjes së veprimeve proceduriale të kërkuara dhe të lejuara nga autoritetet gjyqësore shqiptare. Këto veprime konsistojnë në marrjen në pyetje të personave të pandehur si dhe marrjen në pyetje të shtetasit Lulëzim Basha ditën e enjte datë 25.07.2019″.

Kujtojmë se në qershor të 2018-ës, në portin e Durrësit u kapën dy makina “Toyota” me plot 3.4 mln euro të fshehura brenda tyre. Tre ditë para se të kapej sasia e madhe e parave, Basha akuzoi Ballën për lidhje me personat e përfshirë në këtë ngjarje.
Shtuar më 23/07/2019, ora 16:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori