BE dhe SHBA vazhdojnë të mbështesin Kosovën
Pak minuta pasi Grupi Ndërkombëtar Drejtues i dha fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga përfaqësuesi civil në Kosovë, Pieter Feith, mbajtën konferencë për media.

Në fjalën e tij kryeministri Thaçi ka falenderuar ndërkombëtarët për ndihmën që ata i kanë dhënë Kosovës gjatë këtyre viteve.


"Tani erdhi momenti që ta deklarojmë përmbylljen e pavarësisë edhe publikisht. Pak minuta më parë, Grupi Drejtues Ndërkombëtar i dha mbështetje të plotë vendosmërisë së institucioneve të Kosovës në bashkëpunim me ICO-në për përmbylljen me sukses të mbikëqyrjes së pavarësisë. Ky është një moment i rëndësishëm, i suksesit dhe i kthesës historike për shtetin e Kosovës, i cili po konsolidohet dhe forcohet gjithnjë e më tepër", u shpreh Thaci.

Sipas tij Kosova ka implementuar në tërësi dokumentin e presidentit Ahtisaari, në bashkëpunim të ngushtë me ICO-në. Ndërsa ka nënvizuar se sfida të reja e presin Kosovën në të ardhmen.



"Ne po ndërtojmë Kosovën demokratike, Kosovën shumetnike, Kosovën si atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, prandaj gjithë miqtë që e kanë mbështetur lirinë, jam i bindur se do të ndihen krenar me ndërtimin e shtetit të Kosovës një shtet funksional dhe evropian. Si evropianët më të rinj, vizionin e kemi të qartë, anëtarësimin në NATO dhe Bashkim Evropian" vijoi me tej ai.


Nga ana e tij, përfaqësuesi civil ndërkombëtar Pieter Feith, deklaroi se Grupi Drejtues Ndërkombëtar ka vënë re me kënaqësi të madhe se Qeveria ka kaluar nëpërmjet Kuvendit ndryshimet kushtetuese të nevojshme për zbatimin e Pakos së Ahtisaarit.

Poashtu, Faith theksoi se GND-ja ka vënë re se Qeveria gjatë muajve të kaluar ka ndërmarrë një numër vendimesh të rëndësishme, përfshirë këtu emërimin e komisionarit për gjuhë, dhe drejtorit për kanalin në gjuhën serbe të Radio Televizionit të Kosovës.

Këto hapa janë të rëndësishëm drejt rrugëtimit evropian të Kosovës, theksoi ai, duke shtuar se Kosova do të përfitojë gjithmonë nga miqësia e Bashkimit Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Kosovës. /albeu.com/
Shtuar më 10/09/2012, ora 18:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori