Bashkia e Tiranës: Ja projektet që pritet të miratohen nga Këshilli
Bashkia e Tiranës nëpërmjet zëdhënëses së saj ka bërë edhe njëhere të ditur projektet që do të diskutoheshin gjatë ditës së enjte në Këshilin Bashkiak dhe që prisnin miratimin nga ky organ. Sipas saj Këshilli Bashkiak gjatë ditës së nesërme do të shqyrtonte 7 projekte të Kryebashkiakut Basha.

Këto projekte sipas bashkisë synojnë zgjerimin e transportit publik, kursimin e parave të qytetarëve, investim në art dhe kulturë, fuqizimin e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, pra, angazhimin e Kryetarit të Bashkisë, për të ndërtuar një qytet më të mirë sot dhe për brezat e ardhshëm".

Ndër projektet kryesore ishin krijimi i një linje të re autobuzi e cila do të shtrihet nga Qendra deri në Qytetin Studenti. Kjo linjë do t’u krijojë studentëve lehtësi në qarkullim dhe do të ofrojë shërbimin, në përputhje me Kartën Bashkiake të Studentit.

Projekti i dytë ka të bëjë me zyrtarizmin e procesit të hartimit të Planit Urbanistik të qytetit. Në bazë të këtij plani do të ndërtojmë një qytet më të mire, për të jetuar, punuar dhe argëtuar. Në zemër të këtij plani do të jetë përpjekja për të përmirësuar trafikun dhe parkimin, krijimin e më shumë hapësirave të gjelbërta për qytetarët si dhe rritjen ekonomike, duke ndarë tregun në zona dhe vendosur rregulla të ndershme për zhvillim të sigurtë dhe të qëndrueshëm.

Projekti tjetër ka të bëjë me krijimin e Komisionit për ndërtimin e Xhamisë së re. Ky komision do të përfshijë zërin e qytetarëve, në procesin e ndërtimit të saj dhe përbëhet nga drejtuesit e Komunitetit Musliman, të institucioneve qendrore dhe vendore.

Kryetari i Bashkisë do të paraqesë dhe një projekt, për t’u siguruar qytetarëve shërbim më efiçent dhe më të mirë në kopshte e çerdhe, në parqet dhe hapësirat çlodhëse dhe në qendrat kulturore të Tiranës. Këto ndryshime do t’i kursejnë qytetarëve 1 milionë dollarë në vit dhe kjo është pjesë e angazhimit të Kryebashkiakut, për uljen e barrës fiskale, për llogaridhënie në qeverisje dhe për mbrojtjen e taksave të qytetarëve.

Një nga projektet e tjera të paraqituar është ai për rehabilitimin e qendrës së qytetit, pasi qendra është më shumë se sa hapësira fizike që ajo zë, është ndërlidhëse e lagjeve të ndryshme dhe është projektuar për të ndihmuar qytetarët, në jetën e tyre të përditshme.

Gjithashtu, nesër do të paraqitet në Këshill, një projekt që ka të bëjë me fuqizimin e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, nga spekulimet dhe mashtrimet. /albeu.com/

Shtuar më 09/11/2011, ora 14:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori