Bashkia e Elbasanit merr në dorëzim inceneratorin "nul" pas urdhrit të Ramës
Inceneratorët në Elbasan, Fier dhe Tiranë janë kthyer prej disa ditësh në kryetemë në vend.

Kryeministri Rama iu shmang pyetjes së drejtpërdrejtë nga kryedemokrati Basha dhe gjithashtu edhe gazetarit në Opinion, se pse inceneratorët nuk e kishin kryer shërbimin për të cilin kanë marrë para nga buxheti i shtetit që nga viti 2015.

Ditën e djeshme, Albeu.com raportoi konkretisht se qeveria shqiptare ka shlyer plotësisht koston e inceneatorit të Elbasanit, të dhënë ndaj kompanisë "Albtek Energy" duke i paguar një total prej rreth 3 miliard lekësh nga Buxheti i Shtetit.

Por pavarësisht se pagesat janë kryer një më një, inceneratori i Elbasanit nuk ka funksionuar.

Madje, ai është jo rentabël dhe kompania ka detyruar përmes kontratave edhe bashkitë e tjera të qarkut të Elbasanit që të dërgojnë me shpenzimet e tyre plehrat në këtë incenerator me qëllim sigurimin e lëndës së parë.

Por çfarë ka ndodhur fill pas akuzave të opozitës dhe investigimeve të mediave për këtë çështje?

Kreu i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja dhe drejtuesi i impiantit të përpunimit të mbetetjeve Enea Murataj, në një deklaratë për mediat janë shprehur se impianti funksionon që nga viti 2017 duke i kthyer kështu përgjigje akuzave.

Sipas Llatjas, energjia e prodhuar nga përpunimi i mbetjeve kalon në rrjet. Ai shton se jo të gjitha bashkitë e qarkut të Elbasanit sjellin mbetje dhe kjo bën që impianti të punojë me kapacitet të kufizuar.

“Duke filluar që nga procesi i selektimit, një pjesë tjetër mbetje organike depozitohet në landfill. Në pjesën e parë filluan të gjithë akuzat se këtu do të vinin mbetje nga Europa. Akuza të shumta na kanë ardhur. Pronarët e vërtetë janë shqiptarët e regjistruar në Shqipëri.

Këtu po sjellin disa bashki të Elbasanit. Por jo të gjitha bashkitë sjellin mbetje, nëse do sillnin impianti do të punonte me kapacitet të plotë. Dhe kjo e kushtëzon punën këtu. E gjithë energjia që prodhohet injektohet në rrjete. Realisht nuk ka një faturë sepse nuk është caktuar çmimi i shitjes së energjisë.

Po të sillnin edhe bashkitë që nuk sjellin impianti do të punonte me kapacitet të plotë dhe energjia e prodhuar do të ishte më e madhe. Kemi bërë vazhdimisht diskutime për të caktuar çmimin final por nuk është arritu ende një marrëveshje”, ka thënë ai.

Ndërkaq, kryebashkiaku Llatja u shpreh se ka një kontratë koncesionare që mbaron në dhjetor të vitin 2021 dhe në qershor bashkia do të nisë procedurat për dorëzimin.

“Që nga viti 2016 bashkia e Elbasanit sjell çdo ditë mbetjet në këtë incenerator. Mbetjet trajtohen, dhe më parë hidhen buzë lumit Shkumbin. Sot kemi një ambient shukmë herë më të pastër. Ka një kontratë koncesione që mbaron në dhjetor të viit 2021. Në qershor bashkia do të vijë të marrë procesin në dorëzim”, tha ai. /albeu.com/
Shtuar më 17/10/2020, ora 12:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori