Kremlini po përpiqet të “frikësojë” sërish Perëndimin përmes grupit Wagner në Ballkan

Në përputhje me ndryshimet e fundit në strategjinë propagandistike të Kremlinit, sipas së cilës “Rusia është në luftë kolektive kundër Perëndimit”, grupi i tij “pararojë” mercenar Wagner, i njohur në botë për mizoritë e tij, po i përqendron përpjekjet në Serbi.

Së fundmi, në disa media serbe është shtjelluar sërish prania e mundshme e mercenarëve të grupit Wagner në Serbi. Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet gjatë turneut të tij në disa vende të Ballkanit javën e kaluar shprehu shqetësimet se Grupi Wagner po përpiqet të rekrutojë ushtarë nga Serbia.

Më 16 janar, presidenti serb Aleksandar Vuçiq kërkoi ndalimin e rekrutimit të qytetarëve të Serbisë nga grupi Wagner për të marrë pjesë në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, siç njoftoi agjencia e lajmeve Reuters, duke iu referuar një interviste të tij për kanalin televiziv serb “Happy”
“Pse po u bëni thirrje qytetarëve në Serbi që t’i bashkohen grupit tuaj Wagner kur ju e dini që kjo është kundër ligjeve tona?”, tha presidenti Vuçiç.

“Sa njerëz kemi humbur në të gjitha llojet e luftërave? Le të shpëtojmë vendin tonë dhe popullin tonë. Jam krenar që jemi një vend i lirë”, shtoi ai.

Serbia e ndalon pjesëmmarrjen e qytetarëve të saj në luftërat e huaja bazuar në një ligj në Kodin e saj Penal, i cili u ndryshua për këtë qëllim në vitin 2014. Në ligj u shtuan dy vepra të reja penale, pjesëmarrja në luftë në një vend të huaj dhe organizimi i pjesëmarrjes në luftë në një vend të huaj.

PËRPJEKJA PËR “ZBARKIMIN E GRUPIT WAGNER” NË BALLKAN REZULTOI E PASUKSESSHME

Deklaratës së zotit Vuçiç i paraprinë një sërë hapash nga Kremlini.

Pak para se zoti Vuçiç të fliste, kanali propagandistik i kontrolluar nga Kremlini, “RT” hapi një faqe interneti për transmetimim e lajmeve në gjuhën serbe, të quajtur “RT Balkan”.

Kryeredaktorja e “RT Balkan”, Elena Milinchich njoftoi se projekti i ri “do të mbulojë ngjarjet më të rëndësishme rajonale dhe botërore nga një këndvështrim alternativ”, raportoi Mediasat.info.

Më vonë, informacione për praninë e mundshme të mercenarëve rusë në veri të Kosovës, u publikuan nga një pjesë e mediave në Serbi dhe rajon, në të cilat thuhej se afër barrikadave janë parë persona të maskuar me shenja të grupit mercenar ushtarak rus.

Pretendime të ngjashme ka bërë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Por pavarësisht këtyre pretendimeve, nuk është konfirmuar zyrtarisht prania e mercenarëve rusë në veri të Kosovës.

“Është një gënjeshtër famëkeqe se pjesëtarët e grupit paramilitar rus Wagner kanë marrë pjesë në vendosjen e barrikadave në Kosovë”, tha presidenti i Serbisë për kanalin televiziv “Happy”, sipas një raporti të agjencisë së lajmeve “FoNet”.

Ruslan Trad, studiues i çështjeve të sigurisë në Këshillin e Atlantikut, thotë se në të vërtetë “Serbia nuk ka përfituar ndonjëherë nga një përshkallëzim ‘real’ i situatës në Bosnje dhe Kosovë. Beogradi përfiton nga ‘përshtypja se ka një përshkallëzim të situatës’. Kjo lojë e zotit Vuçiç kontribuon në zhvillimin e marrëdhënieve me Perëndimin, dhe aspak të atyre me Rusinë, e cila ka nevojë për një konflikt real në Ballkan, pasi i përshtatet politikës së saj, veçanërisht në sfondin e luftës në Ukrainë”.

Ndërkohë, “RT Balkan” publikoi hapur në faqen e saj një njoftim të grupit Wagner mbi rekrutimin e luftëtarëve për luftën në Ukrainë, ku thuhej se atyre do t’u ofroheshin kushte “shumë tërheqëse”.

“Grupi Wagner vepron jo vetëm si një formacion luftarak, por edhe një ‘markë e fushatave propagandistike për përhapjen e panikut’ për shkak të reputacionit të tij famëkeq. Meqenëse ky grup është ‘i pranishëm’ në Siri dhe Afrikë, emri i tij njihet në të gjithë botën, ndaj përdorimi i grupit Wagner për propagandë është i qartë sepse synon të shërbejë si një mënyrë frikësimi. Pamjet e fundit të ekzekutimit të një ish- mercenari të grupit Wagner dhe më pas dërgimi i një çekani të madh të përgjakshëm në BE sugjerojnë se këtij grupi i pëlqen vëmendja dhe fama që tërheq vëmendjen nga përpjekjet e frikësimit dhe ndikimit që ushtron mbi të tjerët”, thotë Roman Osadchuk, ekspert i çështjeve të sigurisë në Këshillin Atlantik.

Në përgjigje të kërkesës së shërbimit në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës, në kanalin e Telegramit “Prigozhin_Hat” u publikua një deklaratë në emër të Yevgeny Prohibit, themeluesit të “PMC Wagner”, ku thuhet se grupi “nuk ka qenë kurrë në Serbi dhe se nuk ka serbë në radhët e tij tani dhe nuk ka patur anëtarë serbë në radhët e tij për një kohë të gjatë”./VOA/


Shtuar 20.01.2023 21:36