Kandidat të përbashkët me Metën në Kukës? Berisha i pavendosur: Po e diskutojmë

Pas publikimit të videoskandalit seksual në zyrën e Safet Gjicit, ky i fundit dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të bashkisë së Kukësit më 16 qershor.

24 shtatori është caktuar si data kur do të ripërsëriten zgjedhjet në këtë bashki për të zgjedhur kryetarin e ri.

Ish-kryeministri Sali Berisha, deklaroi sot se nuk e kanë vendosur ende nëse do të marrin pjesë në këto zgjedhje me Partinë e Lirisë. Gjithashtu, janë në diskutim edhe për procedurën të cilën do të ndjekin, a do të zgjidhet kandidati përmes “Primareve” apo jo.

“Me aleatët po diskutohet sapo të vendoset do ju njoftoj”, tha Berisha.

Kujtojmë që Safet Gjici u arrestua më 24 qershor 2023 në Tiranë për korrupsion pasiv pasi dyshohet se ka favorizuar Alma K., duke i ofruar mbështetje financiare, me vendim të Këshillit Bashkiak, mbi një projekt për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në qytet. Vetë 40-vjeçarja ka pranuar se donte nga Gjici tenderin e qenve, ndërsa ish-kryebashkiaku ka thënë se nuk e ka shkelur ligjin. Të dy kanë pretenduar se kishin një lidhje intime me njëri-tjetrin përpara se të flisnin në zyrën e shtetit për tender e favorizime dhe pasi kishin kryer marrëdhënie seksuale. /Albeu.com.


Shtuar 14.08.2023 13:08