“Hipokrizi me pensionistët”, Berisha kundër rritjes së pagave të gjyqësorit: Akt korruptiv

Ish-kryeministri Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit u shpreh kundër rritjes së pagave për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa theksoi se nisma për rritjen e pensioneve për pensionistët është qesharake.

“Përshëndes Qeverinë e Malit të Zi dhe kryeministrin Abazoviç, që hapi dje shkollën e parë shqipë në Rrozhaj, një zonë që ka qenë djep shqiptarizmi, banorët e të cilës në kushte tejet të vështira arritën që të ruanin gjuhën dhe identitetin e tyre. Kjo marrëveshje që ju recitoni këtu është një akt i dobishëm për një numër punëtorësh që detyrohen sot për shkak të rrogave, pothuajse dy herë më të larta në republikën fqinje, krahasuar me vendin e tyre. Ndonëse resurset e Malit të Zi janë më të pakta se ato të Shqipërisë, por çdo fjalë, çdo përpjekje e juaja për pensionistët, është kulmi i hipokrizisë.

Ju votuan këtu rritjen e rrogave të deputetëve me 3.8 mln lekë (të vjetra). Ju autorizuat deputetin që të marrë aq saç marrin në muaj 38 pensionistë. Në një akt ekstrem cinizmi dhe korrupsioni për të blerë gjykatën Kushtetuese, që sot sillet ndaj të drejtës kushtetuese si një organ që shkelmon atë aq saç është shkelmuar në atë gjykatë në 30 vite të marra sëbashku. Në një akt absurd, në një akt të hapur korruptiv, kërkoni të rrisni rrogat e tyre 7-8 mln. Unë po ju rikujtoj këtu se gjykatësi më i fuqishëm i botës, që është gjykatësi i Gjykatës Supreme të SHBA-ve, që ka në spektrin e saj çështjen kushtetuese, kreu i saj ka një rrogë vjetore 290 mijë dollarë. Presidenti i SHBA ka një rrrogë vjetore 400 mijë dollarë. Ju përcaktoni një rrogë për të blerë një tufë gjykatësish pothuajse dyfishi i rrogës së Presidentit të Republikës. Ju tregoni se nuk njihni hierarki shtetërore, por vetëm pazare me mafien. Si mund të jeni ju dakord kur flisni për pensionistët, kur i jepni një gjykatësi aq sa do të marrin 80 pensionistë në muaj. Çfarë është ky akt? Pse kaloni në këtë akt në paturpësi ekstreme. Pazari dhe vetëm pazari është qëllimi juaj dhe i Ramës. Ju jeni vetëm figura të tij.”, tha Berisha.


Shtuar 14.09.2023 11:24