Vrasja e trefishtë në Fushë-Krujë, si u përdor teknika ushtarake për “eliminimin” e tre të rinjve

Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e trefishtë në Fushë-Krujë, ku u vranë me breshëri kallashnikovi 3 të rinj, Brilant Martinaj, Diklen Vataj dhe Arbër Hoxhaj.

Mësohet se autorët kanë vendosur lëndë djegëse në makinën, ku ndodheshin tre viktimat. Dyshohet se kjo është teknikë ushtarake, që përdoret në ushtri dhe ngre dyshime që autorët e masakrës kanë qenë të mire përgatitur dhe me pagesë.

Ndërkohë, në lidhje me ngjarjen janë shoqëruar në komisariat 10 persona, të cilët janë marrë në pyetje, ndërsa forcat e policisë nga RENEA e FNSH prej ditës së djeshme kanë zbarkuar në zonë dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Kujtojë se policia e Shtetit njoftoi mbrëmë vonë se kushdo që jep informacion në lidhje me autorët, që dyshohet të jenë katër persona, do të shpërblehet me 3 milionë lekë.

Kush janë viktimat

Tre të rinjtë që mbetën viktima në Fushë-Krujë ishin me precedent penal në fushën e krimeve ndaj personit.

Brilant Martinaj, 23 vjeç, banues në Fushë-Kuqe ishte me precedent kriminal, i dyshuar për veprën penale “vrasja e kryer në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje.”

Kujtojmë që Brilant Martinaj është kushëriri i Ervis Martinajt. Ai dyshohet se ka qenë autor i vrasjes së efektivit të FNSH, Xhuliano Prela ngjarje e ndodhur në 2020.

Martinaj ka qenë edhe mik i ngushtë me reperin e njohur, Stresi. Gjithçka konfirmohet nga një video, ku djemtë shfaqen në një berberhane, shumë të qeshur së bashku.

Diklen Vata, 30 vjeç njihej si person me precedent penal, kishte lidhje të afërt shoqërore me Brilant Martinaj dhe pjesëtar i grupit kriminal të Ervis Martinajt.

Arbër Hoxhaj, 34 vjeç, nga Fushë-Kuqe kishte lidhje të afërta shoqërore me Brilant Martinaj. Ky i fundit dyshohet si autor i ekzekutimi të efektivit të FNSH-së Xhuliano Prela në dhjetor 2020 dhe ish-policit Xhelal Reçi më 1 nëntor 2021. Asnjë nga krimet nuk është provuar. Ndërsa Diklen Vata është kapur në shtator të 2017-ës me kokainë në Tiranë.

Si ndodhi ngjarja

Autorët i kanë vëzhguar 3 të rinjtë të cilët mbetën të vrarë në mbikalimin e Fushë-Krujës.

Brilant Martinaj, Diklen Vata dhe Arbër Hoxhaj u ekzekutuan me breshëri plumbash ndërsa ishin duke lëvizur me një makinë tip “Volswagen Passat.”

Sipas burimeve, bëhet me dije se të rinjtë po lëviznin drejt nga Tirana drejt zonës së Mamurrasit.

Vendi i fundit ku është pikasur makina e 3 viktimave ishte aeroporti i Rinasit. Prej aty dyshohet se ka nisur edhe ndjekja e tyre. Autorët, të cilët janë 4 sipas policisë, i kanë mbajtur nën vëzhgim dhe i kanë zënë pritë në mbikalimin e Fushë-Krujës.

Vendi ku ndodhi ekzekutimi i të rinjve nuk ka kamera sigurie.

Tre nga autorët që lëviznin me një makinë “Volsëwgen Passat” kanë zbritur dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të tyre. Janë rreth 50 gëzhoja të gjetura në vendin e ngjarjes.

Policia gjeti në fshatin Larushkë një makinë të djegur e cila dyshohet se i përket autorë. Brenda makinës u gjetën edhe 3 armë të cilat janë përdorur për të ekzekutuar Martinaj, Hoxhajn dhe Vatën.

Makina e viktimave, sipas burimeve të grupit hetimor ka marrë flakë nga breshëria e plumbave. Si pasojë Martinaj dhe Hoxhaj u shkrumbuan brenda mjetit, ndërsa Vata kishte tentuar të lërgohej, por autorët e kthyen dhe e qëlluan duke e lënë të vdekur jashtë makinës./albeu.com