Basha në mbështetje të Sakjas: Rama e ka humbur Kavajën, shumë shpejt gjithë Shqipërinë
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, thotë se kallëzimi penal kundër kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja, është sulm politik kundër kundërshtarit politik, i parathënë nga Edi Rama disa javë më parë.

Basha: Kallëzimi politik penal kundër Isa Sakjas vjen nga i njëjti kryeministër i korruptuar dhe i lidhur me krimin që vazhdon të mbrojë Vangjush Dakon, i cili betonizoi Durrësin dhe plazhin e tij, duke u dhënë pasuri publike kriminelëve me të cilët bleu votat. Kallëzimi është urdhëruar nga kryeministri i Qazim Sejdinit, që komandon trafikun e drogës në Elbasan dhe e ka bërë qytetin plaçkë betoni të bandave. Sulmi politik ndaj kryebashkiakut të Kavajës vjen nga i njëjti kryeministër që, bashkë me shërbëtorin e tij, Erion Veliaj, kanë betonizuar Tiranën, duke e shndërruar në lavatriçen më të madhe të pastrimit të parave në Ballkan.

Kryedemokrati nënvizon se as kallëzimet politike, as gazi lotsjellës, as propaganda nuk e ndihmojnë dot më Edi Ramën.

"Kryeministri më i korruptuar sot në Europë e ka humbur Kavajën dhe, shumë shpejt, ka për të humbur gjithë Shqipërinë" përfundon Basha.
Shtuar më 16/04/2019, ora 11:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori