Basha i pakënaqur nga angazhimi i deputetëve dhe anëtarëve të PD-së: Nuk dua të rrini në kafe
Kreu i Partisë Demokratike në një mbledhje të zhvilluar me dyer të mbyllura ku të pranishëm ishin anëtarët e Kryesisë dhe ish-deputetë, analizoi krizën politike në vend dhe kërkoi angazhim maksimal nga drejtuesit politikë në PD.

Pakënaqësia e kreut të PD-së lidhej me angazhimin e anëtarëve të Kryesisë dhe ishdeputetëve të PD-së në protestat e fundit të organizuara nga opozita. Më konkretisht, rezervat e kreut të PD-së lidheshin me protestat e munguara në rrethe dhe pjesëmarrjen e protestës së 21 shkurtit përpara Parlamentit.

"Jemi përballë një situate të paprecedent. Qeveria po përpiqet ta tregojë situatën si normale, por të gjithë e dimë se njerëzit e përbuzin dhe përçmojnë arrogancën e kësaj maxhorance. Ajo që duhet është që gjithsecili prej jush të jetë në terren.

Të jetë te qytetarët. Kam kërkuar edhe më herët nga kryetarët e degëve dhe të deleguarit e partisë që të evidentojnë problematika në zona dhe qytete të caktuara dhe të organizohet protesta.

Nuk dua nga ju të rrini në kafe me njëri-tjetrin. Dua të zhvilloni takime intensive me qytetarët. Të jeni në ballë të protestave që do të organizojmë", mësohet të ketë deklaruar Basha.

Protesta e radhës nga opozita do të jetë këtë të enjte përpara Parlamentit, ku shumica do të jetë në seancë plenare. /albeu.com/
Shtuar më 26/03/2019, ora 19:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori