Barbari, komunistët kapën vëllezërit ballistë dhe u nxorrën sytë
Pëlqej
Zbulohet trakti i Ballit Kombëtar i tetorit të vitit 1943">1943 ku denoncohen publikisht krimet çnjerzore që bënë komunistët dhe çetat e tyre partizane ndaj eksponentëve nacionalistë të Ballit Kombëtar si; studentit të Mjekisë, Hadi Kasimati, që i prenë kokën me thikë dhe dy vëllezërve ballistë Xhevdet dhe Bexhet Bulgareci, të cilët i kapën në fshatin Melçan të Korçës dhe i maskaruan barbarisht!

Nga Dashnor Kaloçi, TemA

Sjellja së fundmi e eshtrave të Mit’had Frashërit në Shqipëri nga ana e qeverisë së kryeministrit Rama dhe varrimi i tyre me ceremoni zyrtare shtetërore pranë busteve të “vëllezërve Frashëri” në parkun e kodrave të liqenit, ashtu siç dihet tashmë nxiti shumë reagime në media nga analistë, studjues, historianë, kryesisht idhtarë të së majtës, si dhe të ndonjë politikani “shokë armësh” me ta. Dhe gjithashtu një valë protestash “në natyrë”, kryesisht nga veteranë nostalgjikë me bindje ultra-komuniste të moshës së katërt, apo dhe pasardhës të tyre, si dhe enversitë fanatikë të moshave të ndryshme, të cilët midis të tjerash e akuzuan kryeministrin socialist si: tradhëtar të bindjeve dhe idealeve të tyre, apo edhe si neoballist?!

E gjitha kjo “furtunë” lidhet me figurën e Mit’had Frashërit, një prej firmëtarëve të Pavarësisë në 1912-ën dhe gjithashtë një prej mëndjeve të ndritura të Shqipërisë në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, (politikan, diplomat, studjues, shkrimtar, përkthyes etj), të cilin diktatori komunist Enver Hoxha e kishte shpallur “tradhëtar dhe kriminel” që nga viti 1943">1943 kur ai kryesonte dhe drejtonte organizatën nacionaliste, Balli Kombëtar, dhe pas nëntorit të vitit 1944, kur i ndodhej në emigracion politik në SHBA si kryetar i Komitetit “Shqipëria e lirë”, duke ia ndaluar edhe kthimin e tij në Shqipëri, me akuzën “kriminel lufte”.

Por ndërsa protestat e veteranëve komunistë që vazhdojnë ta konsiderojnë ende Mit’had Frashërin si “tradhëtar e kriminel”, ashtu si dikur Enver Hoxha, në një farë mënyrë janë të justifikuara, (edhe pse nga viti 1944 deri në 1990-ën, nuk u gjet dhe nuk u publikua kurrë ndonjë dokument që të faktojë ndonjë krim të tij), nga ana e analistëve, studjuesëve, historianëve etj mbështetëseve të tyre, ende nuk është bërë publike ndonjë dokument arkivor që të faktojë apo të hedhë dritë mbi ndonjë krim të ish-kreut të Ballit Kombëtar. Ndërsa ashtu siç dihet tashmë që nga viti 1991 e në vijim, janë publikuar me dhjetra e dhjetra dokumente arkivore ku janë të faktuara krimet monstruoze dhe çnjerzore të Enver Hoxhës dhe regjimit të tij diktatorial, me arrestime, burgosje, tortura, ekzekutime me dhe pa gjyq e internime masive, të kryera këto nga viti 1944 e deri në fillimin e vitit 1991, me vrasjet në kufi.

Por gjithashtu siç është e ditur tashmë, krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj kundërshtarëve të tyre politikë, pjestarë të organizatës nacionaliste Balli Kombëtar dhe Legalitetit, kanë filluar që në periudhën e Luftës, në muajt-gusht-shtator 1943">1943, kur Enveri prishi marrëveshjen e Mukjes, duke mos pranuar të ndante pushtetin me krerët nacionalistë dhe iu shpalli atyre luftë pa asnjë kompromis, duke ndezuar kështu i parë shkëndijat e një lufte vëllavrasëse.

Dhe si rezultat që nga shtator-tetori i vitit 1943">1943 e deri në mbarimin e Luftës në nëntorin e vitit 1944, me dhjetra pjestarë të forcave nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, u bënë objekt atentatesh e sulmesh nga forcat komuniste dhe çetat partizane të tyre, ku shumë nga ata mbetën të vrarë dhe të masakruar prej tyre. Pjesa më e madhe e këtyre vrasjeve dhe krimeve që bënë forcat komuniste ndaj kundërshtarëve të tyre politikë, që në atë kohë u denoncuan publikisht me anë traktesh, thirrjesh dhe komunikatash që krerët e Ballit Kombëtar dhe atyre të Legalitetit, publikuan dhe hodhën në qytete dhe krahina të ndryshme të Shqipërisë.

Madje jo vetëm kaq, por një pjesë të madhe të këtyre trakteve dhe komunikatave, ku denocohen krime nga më monstruozet që komunistët bënë ndaj forcave nacionaliste, me porosi të Mit’had Frashërit dhe nën kujdesin e veçantë të tij, u përmblodhën dhe u botuan në një libër të veçantë ende pa mbaruar lufta në vitin 1944, me qëllim për të sensibilizuar sadopak opinionin publik dhe për të ndaluar ato krime që mund të çonin në një luftë civile vëllavrasëse e cila sapo jepte shënjat e para.

Nga ky libër i cili nuk u bë kurrë publik edhe nga vetë regjimi komunist deri në vitin 1990, (në Bibliotekën Kombëtare nuk jepej as me autorizim), dhe për fat të keq edhe pas viteve ’90-të vazhdon të mbetet i panjohur dhe nuk ka zënë vënd në historiografinë zyrtare, kemi shkëputur vetëm një trakt të tetorit të vitit 1943">1943, me titull “Një barbarizëm që të ngjeth mishtë”, si dhe një komunikatë ku bëhet fjalë për krime monstruoze që kanë bërë forcat komuniste e çetat partizane të tyre në krahinën e Korçës, të cilin bashkë me faksimilen përkatëse dhe disa foto të panjohura për publikun e gjërë të ish-komandantit partizan, Agush Gjergjevica dhe të Mit’had Frashërit e eksponentëve të tjetë nacionalistë, po e botojmë ekskluzivisht për gazetën TemA.

Trakti i Ballit Kombëtar

Një barbarizëm i pashëmbëllt që ngjeth mishtë

Mbrëmë, duke kaluar në rrethet e Korçës, në një pritë tradhëtare mbetën të masakruar nga një çetë Komuniste gjashtë ushtarë të Ballit Kombëtar, ndërmjet të cilëve shënojmë toger ZIJA GASHIN, Kryetar çete dhe djaloshin HADI KASIMATI, student në Mjeksi dhe luftëtar i orës së parë. Dihet botërisht se HADI KASIMATIT komunistët i prenë kokën me thikë! Këtë gjest barbar nuk kemi dashur ta shpallim botërisht për të mos t’u gjetur në Historinë Shqiptare një njollë e tillë antikombëtare dhe çnjerzore. Por papritur dhe pakujtuar një shëmtim më i rëndë, më i zi dhe më i tmerrshëm, vjen tani të na ngjethi mishtë. Zëmrat t’ona që pikojnë gjak, që gufojnë pikëllimin e ngjarjes së fundit që po tregojmë më poshtë, nuk mund të durojmë dot dhe na shtyjnë të mendojmë se këto masakrime nuk janë të rastit, por i nënshtrohen një programi të caktuar nga njerëz kriminelë që duhet të damkosen në Historinë t’onë Kombëtare, me vulën e një barbarizme që e kalon edhe atë të Gjengjis Khanit.

Në të gdhirë të ditës së Mërkurë, 13 tetor 1943">1943, çeta Komuniste e kryesuar nga Agush Gjergjevica, kapi në Melçan të Korçës, BEHXHET DHE XHEVDET BULGARECIN, i pari kryetar dhe i dyti pjestar i çetës së Ballit Kombëtar në Bulgarec. Këta dy djem idealist, nacionalistë shqiptarë, u masakruan në mënyrë barbare të pashëmbëllt, duke iu prerë hundën dhe veshët, duke iu nxjerrë sytë, duke iu thyer nofullat dhe krahët, dhe duke u prerë organët seksuale!

Ky krim që i kalon edhe masakrimet e fashistëve në Abisini dhe të serbëve në Bihor, u krye, për faqe të zezë, nga Shqiptarë të pa-shpirt ndaj Shqiptarëve të pafajshëm dhe idealist, të cilët luftojnë dhe punojnë vetëm e vetëm për shlirimin e Shqipërisë. Edhe një ballist tjëtër, JOSIF FRASHERI që ndodhej me të shoqen dhe me vajzën në teqen e Melçanit, u rrëmbye prej komunistëve. Fati i tyre akoma nuk dihet!

Vini duart në krye dhe vajtoni o shqiptarë!

26 tetor 1943">1943

Komunikata e Ballit Kombëtar ku tregohet me detaje ngjarja e vrasjes së Behxhet dhe Xhdevdet Bulgareci nga çeta e Agush Gjergjevicës

Me këtë titull Balli Kombëtar, më 26 Tetuer 1943">1943 nxuer nji trakt me anën e të cilit vehej në dijeni populli se Bexhet dhe Xhevdet Bulgareci, qi të dy Ballista të njohun në të gjithë prefekturën e Korçës, u vranë barbarisht në Melçan prej nji çete komuniste të kryesueme prej Agush Gjergjevicës. Trupat e tyne u gjetën të sakatuem: pa sy, pa veshë, pa hundë, pa dhambë, me krahët dhe gjynjët të thyem dhe me organet seksuale të preme. Katër ditë ma parë, me të njëjtin titull Partia Komuniste nxuer edhe ajo nji trakt, me anën e të cilit pretendon me iu përgjigjë akuzave të Ballit. Partija Komuniste në këtë rast bahet si ngjalë: me çdo mënyrë ajo mundohet me rrëshqitë prej duerve: problemi si do qi të shtrohet, fakti nuk mbulohet dot.

Në traktin e vet, të kuqtë ngatërrojnë punën me fashista, me nazista, me Gestapo, me Tempo, me Signale, me Hitlerin, me Musolinin, me shtypin e 1917-ës, me të Kuqt e Spanjës, me qenllëke, me kalemxhinj, me Mehdi benë, e me të tjera fjalë qi kush i këndon, harron punën e vëllazënve Behxhet dhe Xhevdet Bulgareci dhe trulloset fare. Populli i jonë këto dokrra nuk i ha ma! Na të Ballit themi se Bexhet dhe Xhevdet Bulgareci u masakruen barbarisht ma keq se në kohën e Gjengjis Kanit, prej çetës partizane të kryesueme prej Agush Gjergjevicës. Ju të Partisë Komuniste na prgjigjeni tue na sha.

Shamja nuk formon argument. Vetëm ata qi nuk kanë fakte, prova dhe argumenta, shajnë. Në të tillë gjendje jeni edhe ju. Para se me ardhë përsëri në themë, duem edhe na t’i përgjigjemi këtyne pikave qi na duket se vlejnë të përmenden. 1) Ju doni me dijtë emnin e kalemxhiut qi mshifet mbrapa tabllosë së Ballit Kombëtar. Emni i tij asht Balli Kombëtar. Po emri i kalemxhiut qi mshifet mbrapa tabllosë së Partisë Komuniste, cili asht? Gjithë bota e din; emri i tij asht… gënjeshtar dhe mashtrues!

2) Ju thoni se Agush Gjergjevica asht nasionalist i njoftun. Ne dijmë se Agush Gjergjevica asht kryetar i nji çete komuniste; si ai ashtu edhe të gjithë pjestarët e çetës së tij si shejë dalluese mbajnë yllin e kuq sovjetik.

3) Ju thoni se Bexhet dhe Xhevdet Bulgareci kanë qenë spiun t’italianëve. Kjo gja nuk asht e vërtetë; asht rrenë me bisht dhe ju e dini fort mirë, sepse nuk jeni si na qi s’e kemi mësue ende mirë zanatin. Ju jo vetëm qi e dini mirë zanatin por keni edhe një rreth spiunazhi mjaft të mirë. Djemt shqiptarë qi ndodhen sot në rradhët t’ueja, gjithë bota e din, janë të detyruem të spiunojnë jo vetëm të gjithë anëtarët e Ballit por shokët, vlleznit, motrat, prindët e vet! Rregjimi i juej s’ka asnji ndryshim prej regjimit fashist dhe prej regjimit nazist: qi të gjithë këta rregjime janë të bazuem mbi spiunazhin dhe mbi terrorin. Siç ra regjimi fashist, siç do të bjerë regjimi nazist, ashtu do të rrëzohet për së shpejti edhe regjimi i juej këtu në Shqipni!

Por le të kthemei në themë. Këta dy martira jo vetëm qi s’kanë qenë kurrë në lidhje me qeverinë italjane, por deri në fruer 1943">1943 ata ishin pjestarë të nji çete t’uej. Ata u ndanë prej jush vetëm atëhere kur ju i detyruat të vejshin mbi flamur yllin e kuq sovjetik! A e shifni tash qi kemi të drejtë qi themi se jeni rrenacakë e mashtrues? Tash, mbas këtij digrisioni, na ju themi se fakti i masakrimit barbar ashjt fatkeqësisht i vërtetë. Njerzit qi erdhën prej rretheve të Korçës ditën 20 tetuer na treguen ngjarjen, por na nuk e shkruejtëm se s’na besohej qi në vendin t’onë me tradita dhe zakone aq të bukura dhe fisnike sa qi na i kanë cmir bota, të ndodheshin njerz qi mund të bajshin nji monstruozitet të tillë. Mirpo, porsa na erdhi raporti i jonë zyrtar, atëhere u bindëm sepse çdo dyshim u zhduk. Dhe qe bile hollësitë:

Ditën 13 tetuer 1943">1943 çeta partizane e kryesueme prej Agush Gjergjevicës, kërkoi strehim në katundin nasionalist Melçan, ku ndodhej edhe nji çet e Ballit. Njerzit t’onë i pritën partizanët miqsisht dhe sinqerisht tue u lirue bile shumë shtëpi dhe tue ba

vetë roje. Aty kah mesi i natës u ndigjuen dy krisma pushkë të cilave asnjeni s’u dha randësi. Mbas ndonjë ore Agush Gjergjevica lajmëron partizanët e vet, shtëpi për shtëpi, qi të mblidheshin, se kishin me u nisë për nji vend të pa caktuem. Dhe çeta e Ballit duel dhe i përcuell shokët, bashkëluftuesit partizanë tue ju urue udhën e mbarë. Mbasi partizanët u larguen, nji katundar lajmon se ndigjoi qi Agush Gjergjevica i kishte thanë nji shokut të vet:”shpejt, shpejt, t’ikim se kanë me na vra të gjithëve”. Për këtë punë çeta e jonë u mërzit shumë se besonte qi Agush Gjergjevica nuk kishte besim në të.

Me komentet e zakonshëm të rastit luftëtarët t’onë u kthyen nëpër shtëpija për me u shtri. Ma vonë, afër agimit, disa katundarë prunë në Melçan trupat e dy viktimave të mjerë, dhe atëhere u muer vesh pse Agushi ishte nisë ashtu pa pritun nën nji shi të rreptë me njerzit e vet, dhe se ç’kishte dashë të thonte me fjalët “shpejt, t’ikim se kanë me na vra të gjithve”. Trupat e coptuem të Bexhedit dhe të Xhevdetit mbetën t’ekspozuem atë mëngjes dhe popullsia e Melçanit, e Bulgarecit dhe e gjithë katundeve rreth e përqark erdhi për me pamë me syt e veta mizorin e pabesueshme. Jo vetëm të vegjlit, gratë, pleqt e plakat qajshin dhe vajtojshin pa rreshtë, por edhe të gjithë burrat, trima të provuem në sa e sa lufta, qajshin me za si kalamaj! Në vorrimin qi u ba në teqe, muerën pjesë ma shumë se njimijë burra.
Shtuar më 03/12/2018, ora 12:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori