Rama në Durrës: Igli Cara është djalë i mirë, por nuk jam këtu për krushqi

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Durrës ku dhe ka takuar qytetarët. Ai u ndal fillimisht në Eco Parkun e Porto Romanos, ku të pranishëm janë nxënës shkollash dhe premtoi se në Durrës  do të hapet akademia më e madhe e futbollit.

Mes të tjerash, Rama lavdëroi kandidatin e “Bashkë Fitojmë”, Igli Carën, të cilin e cilësoi djalë të mirë, por shtoi se nëse qytetarëve iu duhet një pastruese për qytetin, kanë një grua, siç është kandidatja socialiste.

“Do sjellim në Durrës një nga akademitë më të mëdha të futbollit. Duam ta sjellim në Durrës, një akademi rajonale e futbollit që do të jetë për të sjellë talentet dhe më pas do të përgatiten për arenën ndërkombëtare. Paralelisht me akademinë e futbollit do të jetë dhe një shkollë e futbollit për fëmijët, që do të jetë një strukturë e mbështetur te garancia e talenteve. S’mund të themi emrin e skuadrës, por kur do ta dëgjoni, do thoni; ohu! Do e mbajmë veten. Kam nevojë për ju, se meqë keni ardhur këtu, e keni ndarë mendjen për të votuar Anin. Po kërkoj që ju të merrni shumë më tepër vota. Edhe ai tjetri mund të jetë djalë i mirë, por unë jam i martuar dhe nuk kam motër. Nuk jam këtu për krushqi. Këtu çështja është; je djalë i mirë, por a ma bën punën apo jo. Ti nuk mund të marrësh një pastrues të djathtë, që i ka duart e thara. Po qe për pastrues, merr një grua dhe jo një burrë.”, tha Rama.


Shtuar 24.04.2023 11:59