Ballkani pa viza, Brukseli diskuton mekanizmin e monitorimit
Këshilli i Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve të Bashkimit Evropian do të diskutojë nesër dhe pasnesër në lidhje me mekanizmin e monitorimit të regjimit të liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Komisioni Evropian do të prezantojë në Këshill pikëpamjet e tij për mënyrën se si duhet të funksionojë ky mekanizëm vëzhgimi. Në nëntorin e vitit 2010, Këshilli vendosi që qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnje Hercegovinës që disponojnë pasaporta biometrike mund të udhëtojnë pa patur nevojë për vizë në hapësirën shenjen.

Qytetarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë kishin përfituar nga ky regjim dhjetorin e vitit 2009. Nëntorin e vitit 2010 Komisioni Evropian bëri një deklaratë në të cilën shprehej për vendosjen e një mekanizmi kontrolli për liberalizimin e vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ky mekanizëm parashikon monitorimin e reformave të cilat duhet të kryhen nga këto vende dhe që ende nuk rezultojnë të realizuara. Në këtë mbledhje të Këshillit do të diskutohet edhe në lidhje me mënyrën e reagimit nëse do të ketë vështirësi dhe probleme në zbatimin e lëvizjes pa viza ashtu sikurse nëse vërehen rritje të numrit të azil kërkuesve nga ndonjë vend i Ballkanit Perëndimor.
Shtuar më 23/02/2011, ora 19:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori