Ballkani në BE, pasi të përmbushen kriteret
BE-ja vazhdon politikës e saj të dyerve të hapura për anëtarësimin, tha Komisioneri i Zgjerimit Stefan Fyle, por paralajmëroi se kandidatët duhet të përmbushin të gjitha kriteret e BE-së dhe të plotësojnë të gjitha kushtet në mënyrë që të pranohen.


"Ritmi me të cilin secili vend përparon drejt anëtarësimit në BE varet nga përmbushja e kritereve dhe kushteve të përcaktuara. Kroacia është një shembull i mirë dhe duhet të shërbejë si një nxitje: ajo tregon se çfarë mund të arrihet kur ndiqen dhe zbatohen reformat e nevojshme", tha Fyle në një intervistë me SETimes.


Kroacia do të bëhet anëtarja e 28-të e BE-së në korrik të vitit 2013. Mali i Zi filloi negociatat për anëtarësim në qershor, ndërsa Shqipëria është duke u përpjekur për të përmbushur prioritetet kyçe për një status të kandidatit për anëtarësim.


KE-ja ka rekomanduar tri herë hapjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë, por Maqedonisë ende nuk i është dhënë një datë për të filluar bisedimet.


Marrëdhëniet pozitive me fqinjët, një parakusht për anëtarësim në BE, është një nga çështjet kryesore që Serbia ka nevojë të përmbushë para anëtarësimit në BE, sipas Fyles.


"BE-ja dëshiron që Serbia të ndërmarrë hapa drejt një përmirësimi të dukshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Kosovën", tha Fyle, duke shtuar se një hap i tillë respekton plotësisht parimin e bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal.


"Vendimi i fundit i Beogradit për të ndaluar këmbënguljen që fusnota e Kosovës të paraqitet në emrin e vendit është një hap shumë i mirëpritur, dhe BE-ja do të monitorojë zbatimin e tij në praktikë", tha Fyle.


BE po ashtu kërkon që Serbia të respektojë plotësisht dispozitat e Traktatit të Komunitetit të Energjisë 2005, duke angazhuar rajonin të ndërtojë një treg të integruar të energjisë dhe për të gjetur zgjidhje për telekomunikacionin. Kompania energjetike e Serbisë ka një degë në veri të Kosovës, duke e privuar Kosovën nga rrjeti dhe të ardhurat e saj atje.
Telekomunikacioni gjithashtu duhet të jetë një prej temave në diskutimet teknike mes Kosovës dhe Serbisë, së bashku me çështjet e energjisë, sipas Fyle. "Në këto dy çështje, ne kemi nevojë për të rifilluar dialogun dhe të japim zgjidhje", tha ai.


Vazhdimi i zbatimit i të gjitha marrëveshjeve në mirëbesim në dialogun teknik me Prishtinën është një çështje tjetër, sipas Fyle. "Nënshkrimi i protokollit nga Beogradi për menaxhimin e integruar të kufijve është ende në pritje".


Së fundmi, Serbia duhet të bashkëpunojë në mënyrë aktive me EULEX-in, i cili vazhdon të ketë liri të kufizuar lëvizjeje në veri të vendit, për shkak të kundërshtimit nga ana e serbëve lokalë, të cilët pretendojnë se EULEX-i mban anën e institucioneve të Kosovës.


Një raund i ri i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të fillojë, por formati, koha dhe qëllimi i dialogut janë ende nën diskutim mes Prishtinës dhe Beogradit, tha ai.

"Ne do të duam që dialogu të çojë në një përmirësim cilësor, të dukshëm dhe të qëndrueshëm në marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit, e thënë shkurt, normalizim. Kjo do të thotë se të gjitha çështjet e pazgjidhura do të duhet të diskutohen", tha ai.


Lidhur me aspiratat e Kosovës për të qenë një anëtare e BE-së, Fyle tha se vendi duhet të punojë aktivisht në përmbushjen e standardeve të dhëna.


Standardet variojnë nga parandalimi dhe luftimi i krimit të organizuar, terrorizmit dhe korrupsionit deri te mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore, duke përfshirë të drejtat e minoriteteve dhe te kufiri dhe menaxhimi i migrimit, dokumentet zyrtare dhe mbrojtja e të dhënave, si dhe marrëdhëniet e jashtme.


"Sa më shpejt që e bën këtë, aq më shpejt njerëzit do të ndajnë të mirën e udhëtimit pa viza, si pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor", tha Fyle. /albeu.com/
Shtuar më 30/09/2012, ora 13:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori