Gjendje shëndetësore që nuk janë, por mund të duken si depresion

Shumë kushte mjekësore kanë simptoma të ngjashme me depresionin, të tilla si lodhje dhe probleme me gjumin, kjo është arsyeja pse shumë njerëz mendojnë se kanë depresion kur në fakt është diçka tjetër.

Sipas WebMD, depresioni është një gjendje e zakonshme e shëndetit mendor që ndikon në mënyrën se si ndihemi, sillemi dhe mendojmë.

Simptomat mund të përfshijnë ndryshime në oreks, lodhje, ndjenjën e pavlefshmërisë, humbje të interesit për aktivitetet që na kanë interesuar gjithmonë, mungesë energjie, probleme me gjumin, përqendrimin dhe kujtesën, humbje peshe ose shtim i papritur në peshë. Megjithatë, ka edhe nga ato gjendje shëndetësore që mund të duken si depresion, por nuk janë aspak.

Anemia

Anemia shfaqet në shumicën e rasteve kur trupit tonë i mungon hekuri. Meqenëse njerëzit me anemi shpesh kanë simptoma të tilla si lodhje ose dobësi, shumë njerëz mendojnë se në të vërtetë vuajnë nga depresioni.

Mjekët paralajmërojnë se nëse nuk trajtojmë aneminë, ajo mund të çojë në komplikime duke përfshirë depresionin.

Por anemia ka edhe simptoma si gulçim, ndjesi të ftohtë, marramendje, dhimbje koke, probleme me lëkurën dhe sindromën e këmbëve të shqetësuara. Këto nuk janë simptoma të depresionit.

Ankthi

Ekziston një lidhje midis depresionit dhe ankthit. Ankthi ndonjëherë është një simptomë e depresionit dhe gjithashtu mund ta shkaktojë atë nëse nuk trajtohet në kohë.

Shumë njerëz kanë depresion dhe ankth. Megjithëse janë kushte të ndryshme, ato ndajnë disa simptoma të përbashkëta si nervozizmi, problemet me gjumin dhe problemet me përqendrimin.

Çrregullimi i deficitit të vëmendjes dhe hiperaktivitetit (ADHD)

ADHD gjithashtu ka simptoma të ngjashme me depresionin, dhe nëse rastësisht një person ka ADHD dhe depresion, ai mund të lëvizë, të mendojë dhe të flasë më ngadalë.

Të jetosh me ADHD mund të çojë në ndjenjat e depresionit, të cilat ne i quajmë të ashtuquajtur depresion të situatës. Kjo do të thotë se ndodh për shkak të sfidave që sjell ky çrregullim.

Çrregullimi bipolar

Kur vuajmë nga çrregullimi bipolar, ne alternojmë rregullisht periudhat e depresionit dhe manisë ose humorit të lartë.

Gjatë një periudhe depresive ne mund të ndjejmë trishtim, dëshpërim dhe humbje të interesit për aktivitetet, ndërsa gjatë manisë ndjejmë eufori, energji ose nervozizëm. Siç shpjegojnë mjekët, këto nuk janë simptoma të depresionit klinik.

Diabeti
Edhe pse nuk është plotësisht e qartë se si, studimet kanë treguar se ekziston një lidhje midis depresionit dhe diabetit.

Është e mundur që stresi i të jetuarit me diabet të shkaktojë depresion, por është gjithashtu e mundur që diabeti të çojë në probleme të tjera shëndetësore që përkeqësojnë simptomat e depresionit. Dobësia, lodhja dhe humbja e peshës janë simptoma tipike të të dyja gjendjeve.


Shtuar 8.08.2023 16:02