Tragjedia në Sarandë, dëshmitari: Po prisnim këngëtarin, stafi filloi të bërtiste! Ishte shumë e dhimbshme

Saranda u trondit nga ngjarja e rëndë e ndodhur në orën 01:15 të 26 gushtit në lokalin e njohur “Orange”.

Kamarieri 17-vjeçar, Antonio Delilaj po merrte disa koli me ujë nga bodrumi per te bari dhe ndodhej brenda ashensorit kur është këputur njera nga kavot e ashensorit. Goditja e fortë në kokë i ka shkaktuar vdekje të menjëhershme.

Një qytetar i cili ishte i pranishëm në klubin e natës, bëri të ditur se ata ishin duke pritur këngëtarët të dilnin në skenë, por stafi filloi të bërtiste e më pas erdhi ambulanca.

“Ishte shumë e dhimbshme po prisnim te dilnin këngëtarët në skenë kur filluan duke bërtitur stafi. Erdhi ambulanca e nxorën të shkretin pa jetë… gjynah djali i ri kjo është jeta se dimë kur e kemi”, tha dëshmitari.

Rastet kur ashensorët pësojnë defekte nuk janë të pakta në vendin tonë. Përgjegjegjës për kolaudimin e tyre është Inspektorati Shtetëror i Mbrojtjes së Tregut. Në rastin konkret ende s’ka të dhëna nëse ashensori kishte apo jo çertifikatë sigurie. Hetimet për këtë ngjarje të rëndë dhe nxjerrjen e përgjegjësve vazhdojnë nga policia e prokuroria e Sarandës.

Inspektorët e ISHMT janë në terren për të bërë verifikimet përkatëse të  pajisjes që ka shkaktuar aksidentin, por ende nuk kanë një raport përfundimtar nëse ashensori i përmbushte parametrat e sigurisë teknike dhe nëse ka qenë apo jo i kolauduar./Albeu.com


Shtuar 26.08.2023 16:23