Autobusi bie në 100 metra humnerë, 9 të vdekur
Pëlqej
Lajmi i minutës së fundit
(UPDATE) Të paktën 9 të vdekur është bilanci i aksidentit tragjik i cili ka ndodhur sonte në fshatin Frataj pranë Ziaj në aksin Tepelenë-Ballsh. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme rreth orës 20:30, kur autobusi i linjës Durrës-Athinë ka rënë nga lartësia 100 metra në aksin Tepelenë-Ballsh.

Përgjegjësi i zjarrëfikësve të Mallakastrës Shkëlqim Pashai ka deklaruar për mediat se bilanci i viktimave ka arritur në 9 nga autobusi me gjithsej 49 persona. Sipas Pashait, autobusi ka bërë 4 rrotullime, ndërsa shoferi fliste në telefon.

Njëri nga të mbijetuarit, Ervin Mema, 34 vjec fajëson shoferin grek Tomos Cergas, se ka ngarë autobusin në gjendje të dehur. Sipas kësaj dëshmie, në autobus ka pasur rreth 50 persona, të moshuar gra dhe fëmijë. "Shoferi ka bërë disa gabime gjatë udhëtimit, duke bërë disa frenime të çrregullta. Ai ka qënë i dehur", deklaroi dëshmitari.

Ndërkohë, Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili deklaroi se aty rreth orës 23:10 ka mbaruar operacioni i shpëtimit dhe boshatisjes së autobusit. 35 të plagosurit janë transportuar drejt spitaleve ndërsa shumica e tyre janë vendosur në spitalin e Fierit.

Sipas zëdhënëses së Policisë së Shtetit, forca të shumta Renea dhe të FNF e Fierit kanë marrë pjesë në operacionin e shpëtimit në vendgjarje. Ajo ka bërë të ditur se forcat e policisë të mbledhura në vendin e ngjarjes kanë arritur të nxjerrin deri tani 35 të mbijetuar.

Policia njoftoi se janë identifikuar 8 nga 9 viktimat e deritanshime që janë: Dhurata Halilaj 45 vjeç dhe Afërdita Basha 40 vjeç që të dyja nga Laçi, Nikollë Nina 75 vjeç nga Durrësi, Fredi Guma 45 vjeç, Manushaqe Bali 33 vjeç dhe Dallëndyshe Shuli, të gjithë nga Lushnja, Refotaq Bashllari nga Tirana dhe Marjola Guma 13 vjeç nga Fieri.

Ndërkohë në morgun e spitalit të Fierit ndodhet trupi i pajetë i viktimës së nëntë, ndërsa në spitalin e Janinës janë shoqëruar Eduard Prençi 29 vjeç nga Lushnja dhe Vangjel Petro 61 vjeç nga Gjirokastra.

Edhe autoritetet greke i kanë bërë të ditur ambasadorit shqiptar në Athinë, ndihmën që Greqia mund ti ofrojë Shqipërisë për të përballuar situatën.

Sipas të dhënave të policisë, autobusi është i përmbysur, dhe errësira dhe moti i keq kanë vështirësuar ndërhyrjen. Nuk ka të dhëna zyrtare për shkaqet e ngjarjes. (albeu.com)
Shtuar më 08/11/2010, ora 21:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori