Athinë, grabitet Ambasada Shqiptare
Një vjedhje ka ndodhur gjatë natës në ambasadën shqiptare në Athinë.

Lajmi konfirmohet nga vetë ambasadori shqiptar në Greqi, Dashnor Dervishi, i cili tha për News 24 se "gjatë natës së kaluar, persona ende të paidentifikuar nga policia, kanë kapërcyer murin rrethues, kanë hyrë në territorin e ambasadës dhe kanë vjedhur një sasi parash, që ndodheshin në 2 bankomate brenda ndërtesës, pa prekur asgjë tjetër".

Sipas ambasadorit, bëhet fjalë për paratë e mbledhura nga emigrantët shqiptarë, që kanë aplikuar për pasaporta biometrike. Dervishi nuk dha një shifër të saktë të parave që mungojnë, por sipas tij, ishte "një sasi e konsiderueshme".

Ambasadori shqiptar në Athinë theksoi se "me këtë akt është cënuar territori i Republikës së Shqipërisë" dhe denoncoi faktin që "ambasada jonë në Athinë prej kohësh nuk ruhet nga forca të policisë greke", gjë që këtë herë e ka lehtësuar veprimtarinë e vjedhësve.

Denoncimi për vjedhjen është kryer në policinë greke dhe priten rezultatet e hetimit. /albeu.com/
Shtuar më 12/03/2012, ora 13:19
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori