Asfiksimi në Bulqizë, nxënësit tregojnë si nuk i lanë të dalin nga shkolla
Pëlqej
Asfiksimi i 60nxënësve në shkolla e Shupenzës në Bulqizë, e cila ishte rikonstruktuar në muajt e verës shkaktoi një shqetësim shumë të madh ditën e djehsme.

Pak ditë më parë ishte furnizuar me lëndë ngrohëse pelet për të përballuar dimrin e ftohtë, që e karakterizon këtë zonë.

Ndonëse kaldaja nuk është testuar më parë, dje, për shkak të ankesave të nxënësve se kanë ftohtë në orën e mësimit, është ndezur për herë të parë kaldaja qendrore. Askush nuk ka qenë në dijeni se oxhaku ishte i mbyllur dhe fillimisht është neglizhuar prezenca e tymit të pakët.

Nga çlirimi i gazit, nxënësit kanë filluar të shfaqin problemet e para të shëndetit, si dhimbje koke e marrje fryme. Ata i kanë shfaqur këto shqetësime te mësuesit, por këta të fundit nuk kanë pranuar të pezullonin mësimin.

Tymi është shpërndarë gradualisht dhe stafi pedagogjik vendosi të nxjerrë nxënësit nga shkolla kur gjendja e tyre ishte e rënduar dhe tashmë tymi kishte pushtuar të gjithë shkollën. Këtë fakt e kanë treguar vetë nxënësit, teksa janë pyetur nga oficerë të Policisë.

“Ne e ndjemë çlirimin e gazit që në fillim. Pastaj, klasa nisi të kishte tym, por mësuesit po e neglizhonin. Edhe ne menduam se mbase tymi po kthehej nga era dhe se do të kalonte. Por gjendja jonë po përkeqësohej. Tymi mbushi klasën dhe disa prej nesh ishin në gjendje të rëndë, deri te të vjellat. Nuk mbusheshim dot me frymë. Kishim marrje mendsh. Vetëm kur gjendja u rëndua, mësuesit na nxorën përjashta. Por kjo ndodhi pas gati dy orësh”, janë shprehur nxënësit në Policinë e Bulqizës.

Vetëm kur janë ballafaquar me situatën e rëndë, ku dhjetëra nxënës kishin dridhje dhe nuk qëndronin dot më as në këmbë, drejtuesit e shkollës kanë njoftuar postën e Policisë Shupenzë ku kërkuan ndihmë për transportimin e nxënësve drejt Bulqizës e Peshkopisë.

Gjendja ishte kritike. Fëmijët tanë i kishte përfshirë paniku. I gjetëm teksa ulërinin dhe qanin. Mësuesit përpiqeshin t’i qetësonin, por ishte e pamundur. Kishin lot, dhimbje koke dhe villnin. Dukej si një helmim i qëllimshëm. Shyqyr që transportimi i nxënësve u krye shpejt, se do na kishin vdekur këtu”, u shpreh prindi i një nxënësi të asfiksuar.

Mjeku Shahin Kaja tregon se situata fillimisht ishte alarmante. “Situata nuk ishte normale. Dhjetëra nxënës të helmuar erdhën në spital me ambulanca dhe mjete të tjera”, tha Kaja.
Shtuar më 18/11/2017, ora 22:42

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori