Skandali me listat e pagave dhe targat, çfarë duhet t’i përcjellin mediet publikut: Sekretet

Ditëve të fundit, tema më e diskutuar është publikimi i të dhënave personale dhe të të ardhurave të mijëra shqiptarëve dhe gjithashtu publikimi i targave të makinave. Këto skandale janë publikuar në media, mendje në shumë raste duke shkelur dhe etikën e ruajtjes së informacionit personal.

Këshilli Shqiptar i Medias dhe Aleanca për Media Etike përmes një reagimi konsiderojnë që përderisa këto të dhëna kanë rënë në duar të shumëkujt, aq më shumë i takon medias që në mënyrë të përgjegjshme të orientojë publikun tek ajo pjesë e informacionit që është me interes publik, duke mos cenuar pa të drejtë privatësinë e shtetasve.  KSHM dhe AME kanë përcjellë disa sekrete profesionale që çdo medie duhet t’i ketë parasysh kur raporton mbi raste të tilla me të dhëna sensitive të qytetarëve. Fokusi i orientimit të debatit është te interesi më i lartë publik.

Deklarata:

Çfarë duhet të respektojnë mediat në rastin e rrjedhjes së informacioneve sensitive mbi pagat. KSHM dhe Aleanca për Media Etike, e vlerësojnë kritike situatën e krijuar me rrjedhjen e të dhënave personale të shtetasve, si pagat, targat, etj. Ndërsa rrjedhjet mund të mos jenë dokumente të marra në mënyrë legjitime (shembuj botërorë janë që nga Wikileaks, tek Lista LeGarde, deri te Pandora Papers, etj) shpesh ato mund të përmbajnë dokumente me interes publik.

Nisur nga kjo, KSHM dhe Aleanca për Media Etike konsiderojnë që përderisa këto të dhëna kanë rënë në duar të shumëkujt, aq më shumë i takon medias që në mënyrë të përgjegjshme të orientojë publikun tek ajo pjesë e informacionit që është me interes publik, duke mos cenuar pa të drejtë privatësinë e shtetasve.

KSHM dhe AME, i bëjnë thirrje të tëra mediave që të kenë parasysh disa elementë të rëndësishëm.

Media ka të drejtë për të përpunuar të dhënat e rrjedhura për të informuar publikun. Përpunimi i të dhënave duhet të orientohet vetëm drejt temave që kanë interes publik dhe jo që paraqesin kërshëri publike. Të shmangen nga ky përpunim, sa më shumë të jetë e mundur, detajet personale të shtetasve. Në rast se media, konsideron se rroga dhe institucioni që e paguan një individ përbën çështje me interes të lartë publik, para se të publikohen të dhënat e përpunuara, individëve të përmendur duhet t’u jepet patjetër hapësira për të komentuar. KSHM dhe AME, konsiderojnë se sjellja e përgjegjshme e mediave në këtë situatë është kusht themelor për ta orientuar debatin mbi këto lista aty ku duhet: tek interesi më i lartë publik.