Apple prezanton të shumëpriturin iPhone 12, çmimi dhe risitë (VIDEO)
Gjiganti amerikan i teknologjisë Apple ka prezantuar mbrëmjen e së martës në Kaliforni modelin e ri të iPhone 12.

Njësoj si muajin e shkuar, për shkak të pandemisë, ky event nga Apple u mbajt online.

Por le të kthehemi tani tek iPhone 12! iPhone më i ri ka marrë ekranin Oled nga iPhone 11 Pro, duke i dhënë atij një ekran më të mprehtë, më të ndritshëm dhe më të gjallë. Ai është më i vogël se iPhone 11, me një dizajn industrial, që i ngjan një kryqëzimi midis iPad Pro dhe iPhone 11 Pro.

Telefoni përmban teknologjinë më të re të ekranit me mburojë qeramike, që e bën më të fortë se çdo smartphone tjetër. Një veçori e re që vjen në iPhone 12 është teknologjia 5G dhe “Modaliteti i të Dhënave Smart”, i cili lejon që telefoni të kalojë automatikisht në 4G nëse nuk ka nevojë për shpejtësi të lartë për të kursyer jetën e baterisë.

Tani kalojmë në pjesën e kamerës. Të gjitha kamerat do të kenë Modalitetin e Natës, përfshirë atë ultrawide në pjesën e pasme dhe kamerën e përparme dhe kamera kryesore ka një hapje më të madhe se kurrë më parë, duke lejuar që të kapet më shumë dritë në një shkrepje të vetme.

iPhone 12 nuk do të vijë me një karikues USB ose kufje me tela dhe në këtë mënyrë emetimet e CO2 do të jenë më të pakta, njësoj si të hiqeshin 450 mijë makina nga qarkullimi. Kompania ka prezantuar edhe iPhone 12 Mini, që është njësoj si iPhone 12, por më i vogël. Ekrani 5.4 inç e bën atë më të vogël se një iPhone 6.

Dhe më e rëndësishmja kalojmë tek çmimet. iPhone 12 Mini do të fillojë nga 699 dollarë, ndërsa iPhone 12 do të nisë nga 799 dollarë.

Përveç tyre, Apple ka prezantuar edhe iPhone 12 Pro dhe Pro Max. Këta dy të fundit kanë fokus automatik më të shpejtë në kamera, një zmadhim më të madh dhe mund të jenë idealë edhe videografët profesionistë. Çmimi i iPhone 12 Pro nis nga 999 dollarë, ndërsa Pro Max nga 1099 dollarë.






Shtuar më 13/10/2020, ora 22:21

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori