Vrasja e policit nga kolegu i tij në komisariat, reagon Alibeaj: Dëshmon gjendjen e vërtetë mes radhëve të Policisë

Kreu i Grupit Parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj  ka reaguar në lidhje me ngjarjet që tronditën mbrëmjen e djeshme kryeqytetin.

Një efektiv policie qëlloi për vdekje kolegun e tij në ambientet e komisariatit nr.3, ndërsa një efektiv i FNSH-së në gjendje të dehur plagosi një 60-vjeçar në Kombinat.

Alibeaj shkruan se kjo dëshmon edhe njëherë gjendjen e vërtetë mes radhëve të Policisë së Shtetit.

Breshëri armësh brenda komisariatit, plagosje e një të ngrati prej policit të dehur dhe një bilanc lufte me të plagosur e të vrarë, këtë herë mes vet forcave të rendit!

Përpos keqardhjes për humbjen e jetës, jetët e shqiptarëve janë gjithnjë e më të pambrojtura. Një alarm që PD e ka ngritur në vite.

Historiku i përfshirjes së forcave të rendit në ngjarje kriminale, përfshirja në trafik droge, në mbrojtjen e kriminelëve, rekrutimet politike në policinë e shtetit e shumë të tjera, e bën situatën më dramatike dhe dëshmon edhe njëherë gjendjen e vërtetë mes radhëve te Policise së Shtetit!

Organizata e Policisë së Shtetit nuk duhet të jetë as strehë e elementëve kriminalë dhe as strehë e militantëve të padenjë për të veshur uniformën e ruajtësit të rendit e sigurisë.

Ndaj ngjarje të tilla duhet të jenë kambanë alarmi për gjendjen e policisë dhe një thirrje për të rivënë në shinat e ligjshmërisë Policinë e Shtetit,” shkruan Alibeaj./albeu.com