Anglezja u sjell ushqime studentëve: Mos lejoni që t’ju ndajë politika (VIDEO)
Protesta e studentëve sot ka hyrë në ditën e 11 të saj, por ende nuk është marrë asnjë vendim në lidhje me 8 pikat që ata kërkojnë të plotësohen.

Ndërkohë studentët kanë patur përkrahjen e madhe të popullit shqiptar, por jo vetëm.

Sot një grua angleze e cila jeton në Shqipëri, është bashkuar sot me studentët të cilët janë duke protesrtuar përballë kryeministrisë, për t’u sjellë atyre ushqime.

Studentët e kanë marrë ne mesin e tyre, ndërsa i kanë afruar edhe megafonin për të folur dhe për të dhënë një mesazh.

“Unë nuk jam studentë dhe nuk jam nga Shqipëria por, ju mbështes fort ju të gjithëve, për disa arsye. Së pari, sepse si qytetare që po jetoj në ketë vend dhe që kam në plan të vazhdoj të jetoj, dua që të keni të njëjtat të drejta edukimi siç unë kam pasur fatin të kem. Së dyti, nëse do të kem fëmijë, ata do të edukohen këtu, dhe unë dua që ata të kenë akses të plotë edukimi. Unë ju mbështes ju dhe mendoj që mbështetja duhet të jetë edhe nga gjithë Komisioni Evropian. Ndaj vazhdoni dhe mos lejoni që politika t’ju ndalojë”, u shpreh ajo, ndërsa studentët njëzëri e kanë falënderuar.

Në një letër e cila u është drejtuar Kuvendit, Kryeministrit, Ministres së Arsimit, Universiteteve Publike, studentët që protesojnë që prej 9 ditësh parashtrojnë këto 8 kërkesa:

1-Rritja e buxhetit me 5 % e GDP me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës, Universitet/konvikt.

2-Transparencë me buxhetin nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe IAL-ve, publikimi i të gjitha shpenzimeve online.

3-Rritja nga 10 % në 50 % e peshës totale të votës së studentëve për të zgjedhur kandidatët për dekan, rektor dhe çdo fakultet të ketë një përfaqësues të studentëve në senatin akademik.

4-Rishikim i titujve akademikë dhe verifikimi i plagjiaturave të doktoraturave dhe teksteve mësimore.

5-Mbështetur në nenin 99 mbi Këshillet e Studentëve, Ligji i Arsimit të lartë, pika 2 kërkojmë që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga MASR dhe IAL-të si dhe të shtohen një përfaqësues në këtë bord nga studentët.

6- Pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018-2019 (të ndiqen nga bashkitë përkatëse)

7-Ndërtimi i një biblioteke me standarde Europiane dhe me libër universitar online, falas për studentët në gjuhën shqipe.

8-Vlerësim i perfomancës në mësimdhënie dhe kërkim shkencor i pedagogut, publikim i tij, online dhe regjistrimi i leksioneve.

Në letrën drejtuar institucioneve thuhet se studentët do të bojkotojnë mësimin deri kur 8 kërkesat e tyre të gjejnë zgjidhje. “Kushtet janë të panegociueshme”, e mbyllin letrën studentëve. /albeu.com/
Shtuar më 14/12/2018, ora 11:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori