Angela Merkel del nga karantina, i rikthehet punës në zyrë
Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka dalë nga karantina dhe u rikthye në punë. Merkel është testuar disa herë për koronavirusin e ri por ka rezultuar negative. Kancelarja u vetë-karantinua dhe po punonte nga shtëpia, pasi në 20 mars u vaksinua nga një mjek, i cili më vonë u zbulua se kishte koronavirus.

Në mesin e krizës shendetesore, popullariteti i Merkelit dhe në përgjithësi, ai i koalicionit qeverisës, ka pësuar rritje, ndërsa ka rënë mbështetja për AfD-në e ekstremit të djathtë. Pavarësisht rreptësisë së tyre, masat e marra nga qeveria për frenimin e përhapjes së sëmundjes, janë vlerësuar nga publiku.

Ndërkohë, një spital ne qytetin perëndimor gjerman të Bonn-it, ku po trajtoheshin pacientë me koronavirus u evakua pasi në zonën pranë tij u gjet një bombë e pashpërthyer e Luftës së Dytë Botërore. Bomba fatmirësisht, është arritur të caktivizohet. Pacientët e shtruar atje për Covid 19, u transferuan në spitale të tjera. Në Gjermani numri i vdekjeve kapërceu në më shumë se 1.100 dhe i infektimeve, shkoi në rreth 79.700.

Por sërish duke marrë parasysh popullsinë prej më shumë se 82 milionë banorëve, shkalla e fatalitetit në Gjermani – më shumë se 1 për qind- konsiderohet relativisht e ulët. Në krahasim me të, Spanja dhe Italia, kanë një nivel fatalitetit prej më shumë se 10 për qind.
Shtuar më 03/04/2020, ora 15:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori