Angela Martini rrëfen keqtrajtimet e njerkës: Ishte si shtriga e Borëbardhës (FOTO LAJM)

Për dy vite, Angela Martini punoi për librin “Love, hope, light” (Dashuri, shpresë, dritë), ku flet për kuptimin e jetës, parë nga këndvështrimi i saj, duke marrë si shembull më të fortë jetën aspak të zakonshme të së ëmës. E ftuar në “Opinion”, Angela rrëfeu raportin e vështirë me njerkën në Zvicër dhe vështirësitë për t’u takuar me të ëmën.

“[Marrëdhënia ishte] si historia e Borëbardhës,” tha ajo. “Ajo nuk më donte mua, [vetëm 10 vjeçe në atë kohë]. [Nuk e shihja këtë] vetëm te ngrohtësia, por edhe mashtrimet dhe shpikjet.”

Për shkak se i ati nuk e besonte, Angela vendosi të mos ia tregonte askujt çfarë përjetonte. “E kam mbajtur sekret, derisa u bëra 18 vjeçe dhe ia tregova nënës. Gjithçka e mbaja brenda vetes.”

Kalimi nga Shkodra në Zvicër qe dramatike për Martinin. “Nuk kisha dashurinë që isha mësuar. Nuk shkova në shkollë për nëntë muaj. Gjermanishten e mësova në shtëpi, me fjalor. Qëndrova nëntë muaj e mbyllur në shtëpi. Nuk flisja me mamin.”

Në vijim, ajo shtoi se për 10 vite nuk e takoi të ëmën, pasi “njerka i kishte vënë vizën e kuqe për të shkuar në Zvicër”, por pas disa peripecish ia dolën të takoheshin.

“Mami kishte një nxënëse, e cila kishte një vëlla në Zvicër. Ai i tha që do të përpiqej ta ndihmonte. Njihte dikë që ishte zvicerian, të cilit i propozuan t’i gjenin një grua në Shqipëri. Ai nuk pranonte sepse s’e besonte dot që një grua të martohej me një burrë që nuk e ka parë kurrë. Ata i thanë të vërtetën e nënës sime, pse ajo donte të shkonte në Zvicër. ‘Do ta ndihmoj një nënë të bashkohet me vajzën,’ tha ai. Pasi mori letrat, i thanë në ambasadë që njerka ime e kishte bllokuar kalimin e saj në Zvicër. Arnoldi [burri zvicerian] u shpreh se ajo ishte e fejuara e tij. Kështu erdhi në Zvicër. Më pas, u dashuruan dhe sot janë bashkë.”

Përsa i përket librit, Angela shkroi në Instagram:

“Gjithë emocion, ju njoftoj se libri im ‘Love, hope, light,’ shkruar me kaq shmë dashuri, shpresë dhe dritë, do të dalë në treg për herë të parë gjatë Panairit të Librit në Tiranë në stendën e Shtëpisë Botuese Dudaj. Ejani më takoni dhe firmosni kopjen tuaj. Do të jem prezente më 13, 14 dhe 15 nëntor.”
Shtuar më 13/11/2019, ora 08:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori