Andis Harasani ankohet për zgjedhjet në PD: Votat nuk u numëruan
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ish-deputeti socialist Andis Harasani ka komentuar procesin e zgjedhjeve në PD dhe përbërjen e Këshillit Kombëtar të kësaj partie.

Ndërsa e konsideron të gënjeshtërt procesin, Harasani sjell disa shembuj nga kandidatët të cilët rezultuan fitues të zgjedhjeve, pa pasur asnjë kontribut apo lidhje me këtë parti. Më tej ai është ndalur edhe tek zëdhënësja e re e PD, duke i bërë një analizë të detajuar.

"Kjo histori zbulon në të vërtetë thelbin e deformuar të këtij procesi, ku nuk janë numëruar votat. Megjithë kusuret e tij në raport me të tjerët, Berisha, kur vinte puna tek çeta e tij brënda PD, vendoste disa rregulla dhe së paku mes njerëzve të vetë lejonte të kishte një klasifikim.

Votat për Këshillin Kombëtar të Berishës numëroheshin për gati një javë me 24 orë rresht, derisa nxirrej rezultati votë më votë. Lulzim Basha, që kishte 7500 delegatë dhe duhet të zgjidhte një këshill me 400 vetë, i numëroi për dy orë.

Është e kuptueshme që as i preku fare me dorë. Po t’i kishte prekur, natyrisht që nuk do të ishte ajo listë. Përqëndrohuni pak në një detaj për të kuptuar sa e gënjeshtërt është procesi.

Odeta, vajza e mirë dhe e shkathët për të cilën po flas, është njeri i afërt i familjes Basha, menaxherja e parave të tyre. Po përtej Lulit, Kunatit dhe gruas së Bashës, nuk është se është dikush i njohur në PD, bile as në lagje.

Përfytyroni tani që një militant i PD-së, të ulet para fletës së votimit, të lexojë emrin Alban Male dhe ta votojë…! Përse? Çfarë i kujton? Çfarë e motivon? Askush nuk ka folur kurrë për të.

Askush nuk e di nëse është ose jo anëtar i PD. Askush nuk ka idenë se përse është në listë. Askush nuk guxoi të fliste në Kuvend e të thoshte votoni dhe atë.

Pra është një super-anonim, që ofrohet nga familja Basha, vihet në listë dhe i lexohet emri si anëtar. E njëjta gjë për motrën e Odetës, e cila as në Shqipëri nuk ka jetuar.

Tani që u kthye, u bë anëtare e Këshillit Kombëtar. Akoma më skandaloze është historia me zëdhënësen e re të PD. Është shoqe e ngushtë e Odetës, punonjëse e revistës së gruas së Bashës dhe një gafanjoze ekselente ekranesh, që rrezaton një cektësi të papërballueshme dhe për recepsioniste.

Për çfarë arsye demokratët duhet të vendosnin kryqin mbi emrin e saj për ta votuar? Ku e kishin parë? Tek emisioni që i thotë Ferdinand Dedës, ish-dirigjentit të famshëm, Zef Deda, duke e ngatërruar me humoristin e njohur, babain e Julian Dedës…? Është thjesht një emër i lexuar në listë si anëtar që dëshmon se nuk ka pasur votim", përfundon ai. /albeu.com/
Shtuar më 01/10/2014, ora 10:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori