Alimadhi: Për Shqipërinë është fatkeqësi të drejtohet nga e majta, fajin e ka PD
Deputeti Adriatik Alimadhi ka reaguar lidhur me vendimin për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Alimadhi është shprehur se sipas parimit të tij një burrë shteti duhet të shkëputet nga bërja opozitë me rolin e Presidentit. "Presidenti nuk është në përputhje me aktin dhe me situatën në të cilën ndodhet vendi. Ai duhet të jetë një burrë babaxhan, që duhet të jetë në lartësinë e tij. Vendimi i Presidentit nuk është në interes kombëtar. Pavarësisht se ne mendojmë se në këtë situatë nuk është e duhura për të shkuar në zgjedhje por ne kemi vendosur të hyjmë në përputhje me interesin kombëtar dhe publik. Këto nuk janë zgjedhje por nuk i takon presidentit. Më mirë të shkohet në këtë proces apo të kemi një sjellje të tillë politike. Ai ka ndaluar datën e zgjedhjeve por kush e ndalonte atë të mundësonte dialogun, por merren akte komuniste në mbështetje të disa simpatizantëve dhe të opozitës”.

Ai gjithashtu shtoi se ka ardhur koha që politika në vend të ndryshojë.

“Njerëzit nuk mund të sillen kështu, as të lëshojnë deklarata ku askush nuk i provon akuzat që bën. Ka ardhur koha ti jepet fund një sjelljeje të tillë. Sjellja politike në Shqipëri vjen si trashëgimi e sjelljes komuniste e cila vetëm i vjedh shqiptarët, i grabit, i lodh ata. Unë mendoj se ka ardhur një kohë krejt tjetër, jo të rendim jashtë institucioneve. Presdientit i jep Kushtetuta kompetenca të japë dekrete jo të heq dekrete”.

Duke folur rreth mundësisë së dialogut politik, Alimadhi tha se nuk e sheh të arsyeshme opozitën e bashkuar të kthyer pas me figurat e vjetra të politikës që sipas tij, e vodhën këtë vend ndërkohë që kujtoi se Rama ka dërguar disa ftesa për dialog të cilat janë refuzuar nga opozita. “Unë them më mirë që ky vend të shkojë diku, të respektohen institucionet, se sa opozita të sillet në këtë mënyrë dhe presidenti të anullojë zgjedhje”, shtoi deputeti.

Ai u pyet nga gazetarja Armela Ferko edhe lidhur me nismën e mazhorancës për mbledhjen e firmave të deputetëve për shkarkimin e presidentit. Alimadhi u përgjigj se Balli Kombëtar është në mbështetje të interesit kombëtar dhe jo të figurave të vjetra politike që sipas tij e kanë penguar zhvillimin e vendit duke mos e thënë shprehimisht nëse do ta mbështeste këtë nismë. Alimadhi hodhi edhe akuza të forta ndaj poklitikanëve shqiptarë duke filluar që nga Fatos Nano dhe duke mbaruar tek Edi Rama por nuk la pa përmendur në këtë kontekst edhe Metën, Kryemadhin, Bashën dhe Berishën, duke thënë se janë ata përgjegjësit kryesor të situatës ku ndodhet vendi.

“Është fatkeqësi e madhe që ky vend të drejtohet nga alternative e majtë, dhe kjo ndodh për faj të Partisë Demokratike e cila nuk bëri asgjë për gjakmarrjen, për ligjin 7001 apo për ish-të përndjekurit. Ajo nuk ka një ideologji të papërcaktuar. Pra del Fatmir Mediu e na thotë që të krijohet një qeveri nën drejtimin e Kastriot Islamit, të Ylli Bufit a ku di unë, e kuptoni çdo të thotë kjo. Pra kjo parti nuk është shkëputur nga mendësia komuniste, madje bashkëpunon me ta”, tha Alimadhi.

Shtuar më 11/06/2019, ora 09:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori