Aleanca për mbrojtjen e demokracisë Berat, thirrje Metës: Shpall zgjedhjet e parakohshme parlamentare
Si një ndër strukturat e krijuara nga PD në të gjitha qytetet e vendit, Aleanca për Mbrojtjen e Demokracisë në Berat, i është drejtuar këtë të martë me një kerkesë Presidentit Ilir Meta, që të shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Qytetarëve të Beratit dhe të gjithë Shqipërisë. Të ngrihen në mbrojtje të të drejtave të tyre dhe të demokracisë, të refuzojnë të bëhen pjesë e farsës elektorale që qeveria dhe Edi Rama po përgatit, të bashkëpunojnë me të gjithë aktorët dhe faktorët politikë dhe jo politike në interes të vetëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve!”, thuhet në reagim.

Deklarata e plotë:

Deklaratë e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë

Berat:

Ne, qytetarët e Beratit, të bashkuar në një Aleancë për Mbrojtjen e Demokracisë dhe vlerave të saj,

Me dëshirën dhe qëllimin madhor për t`i shërbyer Shqipërisë dhe interesave të saj;

Të shqetësuar për konfliktin social dhe politik në vend, konflikt i cili po precipiton me pasoja të rënda për të ardhmen e Shqipërisë, shqipëtarëve dhe integrimin evropian të tyre si aspiratë madhore e popullit shqiptar në shekuj,

Duke patur parasysh rrethanat e sotme, kur:

– Vendi drejtohet nga një maxhorancë politike e cila është faktuar se ka fituar zgjedhjet nëpërmjet blerjes dhe manipulimit të votës si dhe përdorimit të eksponentëve të krimit të organizuar;

– Kuvendi i Shqipërisë nuk plotëson detyrimin kushtetues të përfaqësimit me 140 deputetë, duke mos përfaqësuar kështu numerikisht elektoratin;

– Sistemi i drejtësisë është tërësisht i paralizuar, Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë nuk funksionojnë, ndërsa organet e tjera të këtij sistemi kontrollohen politikisht nga maxhoranca;

– Korrupsioni galopant që po gërryen ekonominë dhe të ardhmen tonë është faktuar të ketë mbështetje të hapur qeveritare;

– Opozita ka braktisur përfundimisht Kuvendin e Shqipërisë, në shenjë protëste përsa më sipër;

-Maxhoranca, për herë të parë pas përmbysjes së regjimit komunist, tenton të shkojë e vetme në zgjedhje moniste, pa asnjë alternativë, duke kontrolluar kështu efektivisht të gjithë pushtetin vendor dhe qëndror në Shqipëri;

-Dekreti i Presidentit i ka anulluar këto zgjedhje pikërtisht për dëmin e pallogaritshëm që do t`i shkaktojë vëndit;

I bën thirrje:

– Presidentit te Republikës

Të përdorë të gjitha mekanizmat ligjorë që ka në dispozicion për të shpallur sa më parë zgjedhjet përgjithshme parlamentare, të parakohëshme, të drejta dhe të ndershme, si i vetmi instrument politik që i jep zgjidhje kësaj situate të paprecedentë!

– Administratës Publike dhe Zgjedhore, Forcave te Rendit dhe të Sigurisë

Të vendosin Shqipërinë përpara partisë, duke mos u bërë pjesë dhe mbështetje e shkeljes së Kushtetutës dhe Ligjit;

– Qytetarëve të Beratit dhe të gjithë Shqipërisë

Të ngrihen në mbrojtje të të drejtave të tyre dhe të demokracisë, të refuzojnë të bëhën pjesë e farsës elektorale që qeveria dhe Edi Rama po përgatit, të bashkëpunojnë me të gjithë aktorët dhe faktorët politikë dhe jopolike në interes të vetëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve!
Shtuar më 25/06/2019, ora 20:44

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori