Policia paralajmëron qytetarët: Nëse shihni këtë gjë në Facebook, kujdes!

Policia e Tiranës u ka bërë thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes kur porosisin produkte online, të cilat janë me çmime të ulëta. Kjo pasi dyshohet se administratorët e këtyre profileve në Facebook nuk janë shtetas shqiptarë.

Sipas bluve, porosia nuk vjen në destinacion dhe përdoruesit e interesuar, vendosin të dhënat e tyre personale apo bankare, për të bërë porosinë.

Njoftimi i Policisë:

Nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, gjatë monitorimeve të kryera në burimet e hapura dhe në rrjetet sociale, me qëllim parandalimin e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve kibernetike, janë konstatuar profile të ndryshme, kryesisht në rrjetin social “Facebook”, por jo vetëm, të cilat reklamojnë produkte që përdoren për udhëtim, me çmime shumë të ulëta, për të tërhequr vemendjen e sa më shumë përdoruesve.

Pavarësisht se gjuha e përdorur në shkrimet e publikuara është shqip, dyshohet se administratorët e këtyre profileve nuk janë shtetas shqiptarë.

Duke qenë se ka dyshime se në rastet kur përdoruesit e interesuar, vendosin të dhënat e tyre personale apo bankare, për të bërë porosinë për produktin e reklamuar, produkti nuk dërgohet në destinacion dhe të dhënat e paraqitura vendosen në posedimin e personave që kanë krijuar këto profile, ju këshillojmë që të siguroheni për autenticitetin e faqes apo të profileve që mund të shikoni, përpara se të kryeni porositë tuaja.

DVP Tiranë fton të gjithë qytetarët që mund të jenë të dëmtuar nga ky aktivitet, ose që konstatojnë faqe të tilla, të paraqiten në Sektorin për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në DVP Tiranë.


Shtuar 30.07.2023 14:21