Shoferi i autobusit "gropos" Ahmetajn: Ishte me shpejtësi skëterrë
Pëlqej
Policia nuk ka bërë publike ende të dhënat zyrtare në lidhje me aksidentin e djeshëm në Kumanovë ku u plagos edhe ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj duke ia hedhur paraprakisht fajin lagështirës, shkruan Albeu.com.

Megjithatë, duket se gjërat nuk janë plotësisht kështu.

Vetë shoferi i autobusit me të cilin u përplas Range Roveri luksoz i Ahmetajt ka rrëfyer për gazeta "Express" se ka qenë në krahun e tij dhe se nuk ka godituar askënd.

Madje, Izahir Ejupi, shoferi i autobusit ka thënë se ngjarja ndodhi për shkak se makina me të cilën udhëtonte Ahmetaj ishte me shpejtësi dhe aksidenti u shkaktua për shkak të mos respektimit të sinjalistikës rrugore.

Ejupi shprehet se ai ka qenë në rrugën e tij dhe se ka respektuar sinjalistikën, por ka qenë makina e ish-ministrit ajo që i ka prerë rrugën.

Izahir Ejupi kërkon që të zbardhet e vërteta dhe mos të manipulohet, pasi sipas tij janë edhe dhjetëra dëshmitarë që kanë parë gjithçka.

Intervista
Përshëndetje zotëri, jeni shoferi i autobusit që u përplas ditën e djeshme me makinën e ish- ministrit të Financave, Arben Ahmetaj. Përse i jeni drejtuar gazetës sonë?

“Ne lidhje me lajmin e aksidentit të ish- ministrit të Shqipërisë dua të denoncoj të vërtetën që mos hidhet “baltë” mbi ngjarjen dhe të dihet e vërteta për opinionin e më gjerë.

Unë jam shoferi i autobusit që u përfshi në aksident dhe e vërteta është se aksidenti ndodhi nga shpejtësia e madhe e automjetit në të cili ndodhej ish- ministri dhe mos respektimi i sinjalistikës rrugore. Dua që mos të manipulohet me ngjarjen, pasi më të dëmtuar jemi në me autobus dhe që s’kemi pasur asnjë faj”.

Ku bazoheni që thoni se shkak u bë shpejtësia e madhe dhe jo lagështira në rrugë siç kanë dëshmuar edhe autoritetet maqedonase?

Kam fakte plot dhe dëshmitar edhe vetë fotot tregojnë realitetin. Unë isha në rrugën time ku ai më para ka tejkaluar një makinë tjetër dhe direkt u përplas me ne.

Cili ishte destancioni juaj, nga jeni nisur?

Ne vinim nga Zvicra, jemi nisur nga St. Gallen deri në Strugë. Autobusi ishte plot me udhëtarë dhe në hyrje të Kumanovës ndodhi aksidenti. Në hyrje e pashë që automjeti xhip, Range Rover vinte me shpejtësi të madhe që kaloi në anën time ku isha duke ecur. Unë e ndalova fare autobusin dhe u mundova maksimalisht te largohesha nga rruga, por fatkeqësisht xhipi nuk mundi të ndalej nga shpejtësia, ai humbi kontrollin dhe më goditi në pjesën para, në të majtë dhe u rrokullis në anën tjetër të rrugës duke u përplasur edhe me një veturë tjetër. Shkaku nuk ishte koha e vështirë, por shpejtësia dhe mos respektimi i sinjaleve në komunikacion.

Si është gjendja juaj dhe e pasagjerëve të tjerë të autobusit?

Për fat të mirë shpëtuam me lëndime të lehta trupore kurse nga udhëtarët 14 ishin me lendime të lehta veç njëri pak me shume që u kurua në spitalin e Kumanovës. Shkuam fillimisht në spital për kontroll pastaj në polici dhamë deklarata dhe na lanë të lirë.

Po nga ana e makinës së ish- ministrit?

Nga ata shoferin dhe një nga person tjetër i dërguan në spitalin e Shkupit kurse ish- ministrin dhe një tjetër në spitalin e Kumanovës me lëndime të lehta.

Ju jeni i punësuar në këtë kompani udhëtimi?

Jam i punësuar si shofer. Unë jam Izahir Ejupi nga F.Gradec komuna e Vrapçishtit Gostivar dhe banoj në F. Gradec. Autobusi ka targa GV 5438 AB. Dua të theksoj edhe diçka tjetër se zëvendësministri i Puneve të Brendshme të Maqedonisë Nuhiu e vizitoi ish- ministrin në spital ndërsa neve të gjithëve si udhëtarë të lënduar jo.

Çfarë kërkoni nga drejtësia?

Asgjë tjetër veçse të zbardhet e vërteta dhe të mos manipulohet me ngjarjen.
Shtuar më 17/07/2017, ora 15:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori