250 mijë $ për të parë Titanikun nga afër, hapet për vizitorët anija e famshme

Titanik do të jetë i hapur për publikun për këdo që do të dojë ta vizitojë, kundrejt një çmimi prej 250 mijë dollarë. E gjithë ekspedita do të zgjasë plot 8 ditë e 7 netë.

Stockton Rush, president i OceanGate Expeditions, ishte ai që inicioi ekspeditën e cila do të nisë nga Porti St. John’s Newsfoundland, Kanada.

Grupi i parë do të ketë 11 persona e do të nisë më 19 maj 2023.

Në 3800 metra nën nivelin e detit, Titaniku është zhytur prej 110 vjetësh. Anija transatlantike britanike u mbyt për shkak të përplasjes me një ajsberg në vitin 1912 gjatë udhëtimit të parë, pavarësisht teknologjisë detare të kohës si anija më luksoze e ndërtuar ndonjëherë. Anija u mbyt në vetëm dy orë e 40 minuta, duke marrë më shumë se 1500 jetë para syve të të mbijetuarve që panë tragjedinë nga varkat e shpëtimit.

Ekspedita do t’u japë turistëve mundësinë të shoqërojnë studiues dhe shkencëtarë. Vizitorët gjithashtu do të përfshihen drejtpërdrejt në mbledhjen e të dhënave dhe informacionit mbi gjendjen e Titanikut së bashku me studiuesit në bord.

Zhytja do të zgjasë rreth dy orë. Ju mund ta ndihmoni pilotin me komunikimin dhe vendndodhjen, të mbani shënime për ekipin shkencor, të shikoni një film dhe sigurisht të hani.

Duket sikur vizitat në kufijtë e imagjinatës janë tendenca e re e super të pasurve. Por në zhytjet e mëparshme morën pjesë edhe njerëz që përdorën kursimet e jetës për të marrë pjesë, si bankierja Renata Rojas.

“Unë nuk jam milionere. Kam kursyer për një kohë të gjatë, kam bërë shumë sakrifica në jetën time për të parë Titanikun nga afër. Nuk kam makinë, nuk jam e martuar ende, nuk kam fëmijë. Dhe të gjitha këto vendime u morën sepse doja të shkoja të shikoja Titanikun”, tha gruaja./Oranews