Ballkani i Hapur: Rama, Vuçiç dhe Kovaçevski takohen sot në Ohër

Ditën e sotme dhe të mërkurën (7 dhe 8 qershor) do të mbahet samiti i nismës “Ballkani i Hapur” në Ohër.

Sipas Tanjug, në samit do të jetë i pranishëm Presidenti serb Aleksandër Vuçiç i cili do të takohet me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski dhe kryeministrin e Republikës së Shqipërisë Edi Rama.

Gjithashtu janë planifikuar takime të veçanta me kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviq dhe kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës Zoran Tegeltija.

Gjatë samitit, Presidenti i Serbisë do të marrë pjesë në seancat plenare në fushën e turizmit dhe kulturës, si dhe nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e arsimit, një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndërmjet administratave tatimore dhe një memorandum mirëkuptimi, shkruan Tanjug.

Nisma Ballkani i Hapur kundërshtohet nga Kosova dhe Bosnje Hercegovina.Ndërkohë kryeministri Albin Kurti u ftua nga homologu i tij maqedonas, Dimitar Kovaçevski, për të marrë pjesë në samit, por në një letër drejtuar Kovaçevskit nuk ka konfirmim për pjesëmarrjen apo jo të tij në samitin e nismës ‘Ballkani i Hapur’.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov pasi nuk mundi të udhëtonte drejt Serbisë, në një vizitë të planifikuar ditën e djeshme (6 qershor) për shkak se Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi i mbyllë hapësirat ajrore për aeroplanin ka tronditur me deklaratat e tij.

Lavrov deklaroi se Ballkani i Hapur ishte një iniciativë serbe dhe se Rusia e mbështeste këtë pavarësisht kundërshtimeve të Brukselit.

“BE do që të aplikojë një projekt të quajtur Ballkani i Mbyllur”, tha Lavrov duke e cilësuar këtë një veprim kundër interesave ruse.

“Ne vlerësojmë nismat kurajoze të ndërmarra nga Serbia dhe Presidentit Vuçiç, i cili ka theksuar se nuk do të angazhohet në veprime kundër Rusisë, edhe pse BE do që vendet kandidate të rreshtohen në veprime rusofobike”, tha ai ndërkohë që shtoi: “Siç duket qartë, ata që lëvizin fijet në Bruksel nuk e duan këtë. Ata nuk duan që ne të mbështesin Beogradin, përfshi Ballkanin e Hapur. Duket qartë që ata që janë Bruksel, por edhe NATO duan të aplikojnë në Ballkan projektin e Ballkanit të Mbyllur”.

Kjo është një ndër deklaratat më të forta të bëra nga një shef diplomacie i huaj në lidhje me Ballkanin e Hapur ku Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë angazhuar seriozisht në implementimin e kësaj nisem.