Abazi i kthehet Ramës: Grushti i shtetit rrezikon të shkaktojë katastrofë në rajon
Boiken Abazi
Themeluesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi ka reaguar pas heshtjes së kryeministrit Edi Rama lidhur me rrëzimin e qeverisë së Albin Kurtit.

Abazi thotë se grushi i shtetit që është krijuar në Kosovë nuk rrezikon vetëm qytetarët Kosovarë, por të gjithë rajonin.

Abai i drejtohet kryeministrit Rama duke i thënë se “të flasësh sot kundër grushtit të shtetit në Kosovë nuk është sot vetëm çështje e demokracisë dhe çështje nacionaliste, por edhe çështje e luftës (siç po e quan KM Rama) kundër pandemisë”.

Postimi i Abazit:

Reagim ndaj komenteve që duan heshtjen e KM Rama

Disa përkrahës të Partisë Socialiste u hodhën në rrjetet sociale të mbronin KM Edi Rama për heshtjen e tij ndaj grushtit të shtetit në Kosovë. Refreni i komenteve të tyre, duke mos përmendur ofendimet e tyre, përmblidhet në tre citimet në vijim: “Keq kur flet Rama, e keq kur nuk flet”, “është shumë i zënë me punët e pandemisë në Shqipëri” dhe “Kurti ia bëri këtë gjë vetes”.

Le të sqarojmë së pari që një shqiptar i Kosovës që i thotë një shqiptari të Shqipërisë që s’ka të drejtë të flasë për Kosovën, vepron po aq ulët sa një shqiptar i shqipërisë që ia kthen me të njëjtën monedhë. Shqiptarët në shumicë derrmuese, siç dëshmojnë edhe të gjitha sondazhet, siç kërkon edhe preambula e Kushtetutës së Shqipërisë, janë për bashkim. Është e lehtë të dish se çfarë të thuash kur je pozicionuar së pari për drejtësi. Prandaj le të mos sillemi si sovranistë lagjesh.

Së dyti, raportuesja për Kosovën në BE ka deklaruar publikisht se ajo që po ndodh në Kosovë në mes të pandemisë është grusht shteti që rrezikon të shkaktojë një katastrofë jo vetëm ndaj qytetarëve të Kosovës por edhe për gjithë rajonin. Kosova është shteti më i varfër i rajonit me përhapjen më të vogël të pandemisë, falë masave të qeverisë, të cilat po merren si model edhe nga shtete të tjera. Tentativa e Hashim Thaçit për ta zëvendësuar këtë qeveri pa zgjedhje, e vendos menjëherë Kosovën dhe gjithë rajonin në rrezik. Kosova ka nevojë ta kalojë këtë pandemi e më tej të shkojë menjëherë në zgjedhje. Nëse je pjesë e asaj pakice shqiptarësh që janë kundër bashkimit, dhe je kundër kushtetutës së Shqipërisë, megjithatë shikoje këtë çështje nga ana e shëndetit publik dhe shëndetit tënd personal, dhe do kuptosh sa e rrezikshme është ajo që po ndodh në Kosovë edhe për shqiptarët e Shqipërisë. Të flasësh kundër grushtit të shtetit në Kosovë nuk është sot vetëm çështje e demokracisë dhe çështje nacionaliste, por edhe çështje e luftës (siç po e quan KM Rama) kundër pandemisë.

Së treti, është për t’u përshëndetur fakti që 30 mjekë shqiptarë u nisën t’i bashkohen përpjekjeve të shtetit italian kundër pandemisë. Me këtë krenohemi të gjithë. Njëkohësisht ky akt na bënë të kuptojmë se KM ka kohë të merret edhe me shtete të tjera në lidhje me pandeminë. Pandemia në Kosovë sot rrezikon të dalë jashtë kontrollit për shkak të grushtit të shtetit, jo për shkak të mungesës së mjekëve. Le te mos bëjmë sikur nuk e dimë, e sikur nuk ka rëndësi deklarimi i KM në përputhje me deklarime që kanë bërë shumë të tjerë që ia duan të mirën Kosovës.

Në fund, propaganda se KM Kurti ia shkaktoi këtë vetes është sa patetike aq edhe tenativë për të shfajsuar ata që kanë orkestruar grushtin e shtetit. Imagjinoni një moment ministrin e brendshëm të Shqipërisë, z. Lleshaj, të dali në TV në mes të natës të kërkojë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme pa u konsultuar me qeverinë dhe kundër rekomandimeve të Këshillit të Sigurisë. Imagjinoni tani ç’do i kishte bërë KM Rama

Keshtu veproi ish ministri i brendshëm në Kosovë në mes të emergjencës shëndetësore, duke gënjyer edhe për numrin e të infektuarëve, e duke bërë lojën e Hashim Thaçit për grusht shteti. KM Kurti e shkarkoi nga detyra ish ministrin në përputhje me ligjet në fuqi. Shkarkimi ishte minimumi që mund të bënte, sepse akti i ish ministrit në fakt është çështje për organet e drejtësisë. Prandaj, le të mos bëhemi hipokritë.

Argumentet më lart i shkruaj në këtë pikë për publikun, se KM Rama po thonë një herë që nuk ka kohë t’i lexojë këto e të reagojë. Mbase është më i zënë me leximin e statuseve në facebook të ndonjë qytetari që bën thirrje për të sharë virusin nga ballkoni.
Shtuar më 30/03/2020, ora 15:09

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori